Gjuajtje me armë drejt një familjeje në Stanovc – arrestohet i dyshuari, familja ende e pasigurt

Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur ditë më parë në fshatin Stanovc të Vushtrrisë, ku një person dyshohet se ka gjuajtur me armë zjarri drejt një shtëpie banimi, duke vënë në rrezik jetën e banorëve të saj. Policia e Kosovës njoftoi dje se ka arrestuar të dyshuarin Sh. B., 24 vjeç, për veprën penale “shkaktim i rrezikut përgjithshëm”, njofton Mitropol.
Sipas raportit të Policisë, më 11 prill 2025, i dyshuari ka shtënë me armë të gjatë në drejtim të një shtëpie në fshatin Stanovc. Në vendin e ngjarjes, hetuesit kanë gjetur dhe konfiskuar 12 gëzhoja si prova materiale, ndërsa gjatë arrestimit të të dyshuarit është sekuestruar një armë automatike e tipit AK-47 me 26 fishekë.
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, por pasojat psikologjike të këtij sulmi të armatosur janë të dukshme.
Familjarët e caktë të sulmit kanë deklaruar për Mitropol se ndihen ende të pasigurt, pavarësisht arrestimit të të dyshuarit. Ata theksojnë se kanë frikë për sigurinë e tyre dhe kërkojnë nga organet e drejtësisë që të merren masa të menjëhershme për parandalimin e rasteve të tilla dhe për garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar dhe ndaj tij, me urdhër të prokurorit të çështjes, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Rasti është duke u hetuar nga autoritetet për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Mitropol do të vazhdojë të ndjekë këtë rast nga afër dhe të raportojë për çdo zhvillim të ri.