Gjykata vendos për Ferit Balën, personi që dyshohet se e sulmoi me granatë shtëpinë e kryesuesit të Bordit të Trepçës
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për sulmin me granatë dore në shtëpinë e kryesuesit të Bordit të Trepçës, Bahri Hyseni, në Mitrovicë. I dyshuari, Ferit Bala tashmë është dërguar në paraburgim dhe do të hetohet për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se ndaj të dyshuarit Bala është bërë kërkesë nga Prokuroria për caktimin e masës së sigurisë dhe seanca është mbajtur gjatë ditës së sotme.
Pas përfundimit të seancës, Gjykata ka nxjerrë vendim përmes të cilit është aprovuar kërkesa e ushtruar dhe si rezultat i dyshuari është dërguar në paraburgim për një muaj.
Ndryshe, Bala është arrestuar disa ditë pasi rasti u raportua nga Bahri Hyseni, kryesues i bordit të Ndërmarrjes Publike “Trepça”, i cili kërkoi ndihmën e Policisë më 31 gusht kur ndodhi rasti.
Për motive akoma të panjohura, i dyshuari e ka sulmuar shtëpinë e Hysenit, por fatmirësisht s’ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme në dy vetura.
I arrestuari për sulmin me bombë, siç mëson “Mitropol” ka qenë i arrestuar dhe paraburgosur në vitin 2021 për sulmin ndaj Kryeshefit Ekzekutiv të Trepçës, Enis Abdurrahmanit, që ishte bërë asokohe sapo kishte marrë detyrën për drejtimin e kësaj ndërmarrje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.