Premium Store
02KOSOVËLAJME

Gjykimi për krime lufte: I akuzuari aktiv në dhunë ndaj civilëve në Vushtrri

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën është mbajtur seanca e radhës në gjykimin ndaj Sladan Trajkoviqit, i akuzuar për krime lufte, ku prokurorja speciale Florie Salihu-Shamolli dha fjalën përfundimtare, duke kërkuar që ai të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Prokurorja fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe më pas e elaboroi shkurtimisht, raporton “Betimi për Drejtësi”. Ajo theksoi se Trajkoviqi është arrestuar më 15 dhjetor 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, bazuar në prova, dëshmi dhe fakte që e lidhin me kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës.

Active

Gjatë elaborimit të provave, Salihu-Shamolli paraqiti dëshmitë për përfshirjen e të akuzuarit në akte të rënda dhune gjatë luftës në Kosovë, përfshirë vrasjen dhe djegien e familjes Ujkani, si dhe veprimet në Vushtrri, konkretisht në varrezat e qytetit më 22 maj 1999. Sipas saj, Trajkoviqi ka qenë aktiv në ushtrimin e dhunës ndaj civilëve.

Prokurorja përmendi gjithashtu ngjarjet në burgun e Smrekonicës, ku të ndaluarit ishin mbajtur në kushte çnjerëzore, duke u rrahur dhe kequshqyer. Dëshmitarët, përfshirë Avni Melenicën, e kanë identifikuar të akuzuarin si “Djali i Xhokës”, duke e përshkruar si person të armatosur dhe të përfshirë drejtpërdrejt në dhunë.

Në përfundim, prokurorja kërkoi nga trupi gjykues që, bazuar në provat e administruara, Sladan Trajkoviqi të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për krimet e kryera gjatë luftës.

Active