Premium Store
KOSOVËLAJME

Goditet mafia e korrupsionit: Arrestohen zyrtarë të lartë dhe ish-ministër në aksionin e madh shtetëror

 

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është finalizuar me sukses një operacion i gjerë kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit, i zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet relevante.

Aquapark 2

Sipas njoftimit, operacioni është bazuar në të dhëna të siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe ka ardhur pas një hetimi disamujore. Gjatë aksionit të sotëm janë arrestuar disa zyrtarë të lartë institucionalë, të dyshuar për përfshirje në keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion, të ndërlidhur me procesin e shpronësimit të pronave private.

Në mesin e të dyshuarve janë kryetari i degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; eksperti i gjykatës Sh. T.; një zyrtar në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK-së G. L., si dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, F. I.

Autoritetet dyshojnë se këta persona kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës. Sipas hetimeve, përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, grupi ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të përfitimit të paligjshëm nga fondet publike, përmes rikompensimeve të kundërligjshme për shpronësime të kryera gjatë viteve 2011–2015.

Ministri në detyrë Sveçla ka theksuar se ka përfunduar koha kur buxheti i Republikës së Kosovës keqpërdorej pa u ndëshkuar, duke përgëzuar institucionet për, siç u shpreh ai, një tjetër sukses në luftën pa kompromis kundër korrupsionit.

Ai ka shtuar se vullneti politik, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe angazhimi qytetar po japin rezultate konkrete në ndërtimin e një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të paprekshëm nga çfarëdo forme e krimit.

Active 1