
Kosova është bërë territori më i ri në Ballkan që i është shtuar shërbimit “Google Street View”, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zgjerimin e platformës në Evropë.
Pas rreth dy vitesh xhirimesh, “Google” ka publikuar pamje 360-gradëshe të marra mes korrikut 2025 dhe majit 2026, duke mbuluar pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës. Sipas autorëve të artikullit, integrimi i Kosovës ishte vonuar për shkak të statusit të saj të ndërlikuar gjeopolitik, raporton “virtualstreets”, transmeton Klankosova.
Përveç qyteteve kryesore si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Mitrovica, Gjilani dhe Ferizaj, “Street View” përfshin edhe shumë qytete e fshatra të tjerë, rrugë malore dhe destinacione turistike, përfshirë Grykën e Rugovës, Parkun Kombëtar të Sharrit, Bjeshkët e Nemuna dhe kalimet malore pranë kufijve me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Në Prishtinë, fotografimet nisën në gusht të vitit 2025 dhe vazhduan edhe në pranverën e vitit 2026. Ndërkohë, pamje janë publikuar edhe nga Podujeva, Fushë Kosova, Novobërda, Kaçaniku, Shtimja, Hani i Elezit, Leposaviqi, Leshaku, Vushtrria dhe Skenderaj.
Artikulli thekson se “Google” ka përdorur kamera të gjeneratës së katërt dhe, në disa raste, kamera portative për të vazhduar fotografimin edhe gjatë reshjeve të mëdha të borës në tetor 2025.
Publikimi i “Street View” vjen në një kohë kur Kosova po tërheq gjithnjë e më shumë turistë dhe bizneset lokale kanë nevojë për një prani më të madhe në hartat digjitale. Sipas artikullit, edhe “Apple” kishte marrë leje për të fotografuar pjesë të Kosovës, por ato pamje ende nuk janë bërë publike.








