
Ish-emisari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se shumicën e Marrëveshjes së Uashingtonit nuk e ka negociuar ish-kryeministri Avdullah Hoti.
Në një intervistë për The Pavlovic Today, një medium të udhëhequr nga gazetarja me origjinë serbe, Ksenija Pavlovic, Grenell ka thënë se beson që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje në vitin 2020 pasi u akuzua për krime lufte dhe aktualisht ndodhet në Hagë, kishte bërë “shumë progres” për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.
“Tani e kemi këtë djalin radikal, Kurtin”, ka thënë Grenelli. “Kam besim se populli i Kosovës do të ishte në paqe nëse Thaçi do të ishte ende President. Ata gjithashtu do të kishin bashkëpunim më të madh ekonomik me fqinjët e tyre dhe më shumë vende pune për fëmijët e tyre nëse Thaçi do të kthehej”.
Duke zbuluar funksionet e brendshme të Marrëveshjes Ekonomike Kosovë-Serbi, Grenell tha për The Pavlovic Today se Thaçi dhe Vuçiç ishin “me të vërtetë ata” që ranë dakord për Marrëveshjene Uashingtonit, e cila ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti në shtator të vitit 2020.
“Këtë marrëveshje e ka negociuar të gjithën Thaçi, Hoti nuk ka negociuar shumicën e marrëveshjes”, ka zbuluar Grenell në intervistë me gazetaren Ksenija Pavlovic.
Grenell ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për qasje destruktive në dialogun Kosovë-Serbi. /Paparaci.com








