“Grupet e interesit në VV”: Pse u shfuqizua vendimi për investitorin strategjik “MLK Mining” në Vllahi të Mitrovicës?

Në mbledhje elektronike dhe me njoftim të martën mbrëma, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti e ka shfuqizuar vendimin e miratuar për dhënien e investitorit strategjik kompanisë anglo-polake “MOXICO LUMA KOSOVA MINING L. L. C” me vlerë të investimeve prej 45 milionë eurove. Dyshimet për anulimin e këtij vendimi janë për shkak të interesave brenda Vetëvendosjes.
Miratimi
Qeveria e Kosovës më 13 dhjetor të vitit 2022 kishte miratuar vendimin që kompania “MOXICO LUMA KOSOVA MINING L. L. C të shpallet investitor strategjik.
Në këtë mbledhje nuk pati asnjë votë kundër e asnjë abstenim.
“Konfirmohet vullneti i Qeverisë për ti proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 13/50, të datës 21 dhjetor 2020, për dhënien e Statusit Investitor Strategjik për Subjektin Investues “MOXICO LUMA KOSOVA MINING L. L. C” me Nr. 8628, të datës 19 nëntor 2020.” – thuhet në vendimin e Qeverisë Kurti të cilin mund ta shikoni në foton më poshtë.

Shfuqizimi
Mirëpo, pas katër mujave, vullneti i qeverisë është zbehur në mënyrë të çuditshme dhe interesante.
Në një mbledhje elektronike të Qeverisë Kurti më datë 18 prill u votua e vetmja pikë e rendit të ditës dhe ajo ishte që të shfuqizohet vendimi i datës 13 dhjetor.
Shfuqizimi i vendimit e shfuqizonte vullneti e qeverisë Kurti që të dërgohet në Kuvend dhe kompania anglo-polake të shpallet investitor strategjik.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, ka mbajtur mbledhje Elektronike në të cilën ka shfuqizuar vendimin Nr.04/112 të datës 13 dhjetor 2022 me të cilin ishte konfirmuar vullneti i Qeverisë për t’i proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës Vendimin e Qeverisë Nr. 13/50, të datës 21 dhjetor 2020, për dhënien e Statusit Investitor Strategjik për Subjektin Investues “MOXICO LUMA KOSOVA MINING L. L. C”.” – thuhej në njoftimin e Qeverisë.

MLK Mining: Nuk kam koment
Në anë tjetër, drejtori menagjues për Kosovë, Burim Asllani për Nacionalen ka thënë se nuk ka asnjë koment dhe se po pret “se çka po ndodh”.
“Nuk kam diçka me shtu. Për besë nuk kam naj sen me thanë. Nuk kam ndonjë koment. Po presim çka po ndodhë tutje. Është fjala e tyre e fundit.” – ka thënë ai pa dashur që të tregojë më shumë detaje lidhur me tërheqjen e vendimit.
“Grupet e interesit brenda VV-së”
Shkaku kryesor pse është anuluar ky vendim sipas kryetari të Komisioni për Ekonomi, Ferat Shala, janë interesat brenda Vetëvendosjes, kryesisht prej atyre që janë nga rajoni i Mitrovicës.
Ai ka akuzuar pushtetin për fushatë të rëndë ndaj investitorëve.
“Është duke u bërë një fushatë e poshtër ndaj investitorëve dhe ndaj ish-dy qeverive por që realisht këtu loja është korruptive nga qeveria këtu.” – ka thënë ai.
Ai ka treguar se ministrja Hajdari kishte thënë nuk ka asnjë gjë joligjore.
“Qeveria Kurti ka trashëguar një investitor nga qeveria e kaluar dhe i cili është rikthyer në pikën zero nga Qeveria Kurti. Ka filluar nga zero analiza, studimi, verifikimi dhe çdo e dhënë tjetër juridike dhe teknike, profesionale edhe ekonomike e investitorit strategjik. Ka kaluara në gjitha levat institucional të Qeverisë Kurti 2, ka marrë aprovimin e të gjithë mekanizmave profesional dhe juridik është nxjerrë vendimi, ka ardhë në Komision, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka prezantuar projektin. Tri herë personalisht e kam pyetur a është i ligjshëm, ka konfirmuar është procesverbali në Komision që është i ligjshëm.” – ka thënë Shala.
Ai ka thënë se grupet e interesit brenda VV-së e kanë penguar që ky investitor të investojë në Kosovë.
Shala ka treguar humbjet që do t’i ketë Kosova për shkak anulimit të vendimit të cilin e ka quajtur “nonsens juridikisht dhe logjikisht”.
“Ka shku në Kuvend dhe për shkak të grupeve të interesit brenda VV-së dhe veçanërisht atyre që vijnë nga rajoni i Mitrovicës ka pasur reagime dhe Qeveria Kurti e ka anuluar vendimin e vet që është nonsens juridikisht dhe logjikisht dhe sot investitori strategjik me 45 milionë euro ofertë për hulumtim dhe jo ekspoloatim i është thënë jo që është dëm për sektorin minerar, është dëm për rajonin për ekonominë e vendin, humbin qindra vende pune kryesisht të inxhinerisë minerare dhe një investitor tepër me potencial dhe me interes, krejtësisht pa asnjë logjikë, pretendime e akterëve të caktuar të Vetëvendosjes se ka shkelje të ligjit të minierave nuk qëndrojnë sepse Ligji për Investime strategjike i dominon ligjet tjera dhe për atë është investitor strategjik, prandaj është një goditje e rëndë ndaj investitorit.” – ka treguar Shala për Nacionalen.
Arsyetimi i MINT
Ndërkaq, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësi dhe Tregtisë, për Nacionalen kanë dhënë një përgjigje krejt të çuditshme.
Ata janë thirrë në ligjin për investime Strategjike, që sipas tyre, kompania ka prezantuar të dhënë të pavërteta dhe mbi këtë bazë të ligjit kanë shfuqizuar vendimin.
“Veprimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është mbështetur në Ligjin Nr. 05/L – 079 Për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës. Ky Ligj, i mundëson Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërmarrjen e masave, dhe specifikon edhe të drejtën e revokimit të vendimit për dhënien e statusit projekt strategjik edhe përgjatë përgatitjeve apo edhe zbatimit të projektit investues.”
“Në rast se përgjatë përgatitjeve dhe zbatimit të projektit investues strategjik, Komisioni merr dëshmi të reja në bazë të të cilave konstaton dhe vërteton se në projektin investues ka të dhëna të pavërteta apo ndryshim të të dhënave, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për dhënien e statusit të investimit strategjik, Qeveria e revokon vendimin për dhënien e statusit investim strategjik”, thuhet në pikën 1 të nenit 14 të këtij Ligji.” – kanë thënë MINT për Nacionalen.
Por çfarë thoshte ministrja kur kishte prezantuar këtë projekt?
Ministrja Rozeta Hajdari kishte thënë se vonesa e këtij projekti për procedim në Kuvend kishte ndodhur për shkak të disa kritereve, mirëpo ajo kishte thënë se këto kritere ishin kofirmuar, duke nënkuptuar se gjithçka ishte në rregull.
“Meqë më herët ky projekt ka aplikuar unë sot paraqes vetëm rëndësinë e projektitit: 2021-2025 do të implemetojë projektin si në vijm: Ky projekt në vete do të ngërthje, nxjerrje, studime të ndryshme të pasurive nëntokësore që gjenden në Komunën e Vushtrrisë dhe Mitrovicës, projekti do të implikojë një numër të eksprtëve vendorë dhe ndërkombëtar. Dhe duke u bazuar në ligjin për investime strategjike projekti aplikues “MOXICO LUMA KOSOVA MINING L. L. C” – kishte deklaruar ajo në mbledhjen e qeverisë të mbajtur me 13 dhjetor 2023.

Ajo me mirësjellje kishte kërkuar që qeveria të konfirmojë vendimin dhe kjo gjë kishte ndodhur. Projekti u miratua pas asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.
“Projekti 45 milionë euro ka në vëmendje të madhe se ky sektor është në prioritet, po ashtu edhe siç është komisioni për investime strategjike që ka diskutuar me kriteret të cilat disa nga projektet aplikuese kanë munguar për shkak se udhëzimin administratit 15/2018 kishte hequr disa nga kriteret për ambient kriteret për origjinën e fondeve dhe na ka marrë shumë kohë deri në konfrimimin e këtyre kritereve dhe së fundi kemi ardhur në konkludim se ky projekt mund të procedohet në paralament mirëpo një herë na duhet konfrimimi i qeverisë për vendimin e qeverisë së kaluar dhe ju kërkoj me mirësjellje që në këtë mbledhje ta bëni konfirmimin e këtij vendimi me qëllim procedimin të mëtutjeshëm në Kuvendin e Kosovës.” – kishte thënë ministrja Hajdari./Nacionale/








