
Ndërsa motivi i vrasjes së rreshterit Lika mbetet ende i pazbuluar, prirjet ekstremiste fetare të të dyshuarve janë të ekspozuara në platformat sociale. Të dyshuarit janë ndjekës të Zekerija Qazimit, imamit të dënuar për terrorizëm. Njëri prej të dyshuarve, para disa javësh shpërndau një video-deklaratë kërcënuese ndaj Kosovës të xhihadistit të vrarë në Siri, Ridvan Haqifi.
Motivi që çoi në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika është ende i paqartë.
Shtatë të akuzuarit për vrasjen e eprorit të Policisë së Kosovës mbrëmjen e së martës të 1 prillit janë proceduar penalisht nën dyshimin për “vrasje të rëndë” në bashkëkryerje.
Gjykata, të martën i ka dërguar në paraburgim Haki e Rejhan Belën, Edmond Likën, Shkëlqim Kukën, Rilind Muratin, Diamant Gashin dhe Vatan Qakën.
Hetimet preliminare për grupin prej shtatë të akuzuarve nuk provojnë ndërlidhjen e vrasjes së e rreshterit Lika me motive të ekstremizmit fetar apo terrorizmit, thanë të hënën Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe Kryeprokurori i Ferizajt, Burim Çerkini.
Drejtori Hoxha ka thënë se rreshteri Lika “ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste”. Një burim i Paparacit brenda organeve të hetuesisë i ka thënë të martën se rreshteri i ndjerë e kishte arrestuar në vitin 2023 njërin prej të dyshuarve për vrasjen e tij për një rast penal të përhapjes së urrejtjes, mosdurimit dhe përçarjes mes dy grupeve të ndryshme.
Disa nga të akuzuarit, sipas kryepolicit, kanë precedentë kriminal nga e kaluara.
Derisa po u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve në konferencën për media në Ferizaj të hënën, Hoxha ka përmendur dy raste: pamfletet e dhjetorit të vitit 2023 dhe djegien e Gjykatës Themelore në Kaçanik më 2024.
“Rreshteri ynë ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste dhe pastaj ka punuar në mbështetje të hetimeve të Policisë për zbardhjen e rasteve të mëhershme. Do të thotë, këta janë persona të dyshimtë të cilët kanë qenë më herët të arrestuar për pamfletet dhe djegien e Gjykatës”, ka thënë Hoxha. “Motivi do të qartësohet pas intervistimit të personave të dyshimtë dhe po ashtu, pas ekzaminimit të pajisjeve të cilat janë sekuestru”.
Ndërsa motivi i vrasjes së rreshterit Lika mbetet ende i pazbuluar, prirjet ekstremiste fetare të të dyshuarve janë të ekspozuara në platformat sociale.
Shtatë të akuzuarit janë pjesë e “Rinia Islame Kaçanik”, një shoqate të lidhur ngushtë me terroristin Lavdrim Muhaxheri. Muhaxheri, një i ri nga Kaçaniku ishte njëri prej të parëve kosovarë që i ishte bashkuar ISIS-it në Siri. Kishte vdekur atje në vitin 2017 duke luftuar krah Shtetit Islamik të Levantit dhe Irakut.
Sot, krerët e shoqatës e cila zë gjirit të vet shtatë të akuzuarit dhe një grup prej rreth 20 personash të tjerë, përfshirë edhe të mitur, besohet se janë Haki Bela dhe Lutfi Dashi, tregojnë të dhënat në profilet zyrtare të “Rinia Islame Kaçanik”.
Aktivitetet e shoqatës dhe pjesëtarëve të saj në rrjetet sociale, koicidencialisht janë shtuar nga vera e vitit 2024, një muaj që korrespondon me lirimin nga burgu të njërit prej imamëve më famëkeq të Kosovës, Zekerija Qazimit.
Qazimi, ish-imam i xhamisë ilegale “El-Kuddus” në Gjilan, është liruar nga burgu në gushtin e vitit 2024 pas dhjetë vitesh në vuajtje të dënimit për terrorizëm.
Në vitin 2016, një trup gjykues i Gjykatës Themelore në Ferizaj e kishte shpallur Qazimin fajtor për rekrutimin e të rinjve në organizatat terroriste që luftojnë në Lindjen e Mesme. Gjatë gjykimit në Gjykatën e Ferizajt, Qazimi e kishte pranuar se e njihte personalisht Lavdrim Muhaxherin.
“Tash, njohuritë për Lavdrim Muhaxherin i kam dy lloje: atë që e kam njohur personalisht dhe atë që e kam njohur nëpërmjet mediave. Atë e kam njohur unë është e thjesht, një djalë i urtë që ka qenë pjesëmarrës i ligjëratave – kurrgjë më tepër”, kishte thënë ai në një seancë gjyqësore më 2016.
Pas lirimit nga burgu, Zekerija Qazimi i është rikthyer “normalitetit” të vet.
Një vështrim mbi aktivitetet e tij në internet tregon se ish-imami është rikthyer të operojë në rrjetet e mëparshme, të dyshuara për prirje të ekstremizmit fetar. Në Gjilan, ai mban ligjërata të përjavshme në “mektebe”, të ashtuquajtura mësonjëtore të fesë islame.
Disa prej ndjekësve më të rregullt të Qazimit janë grupi i Kaçanikut.
Faktet që i lidhin pjesëtarët e “Rinia Islame Kaçanik” me imamin e dënuar për terrorizëm janë të strehuara në profilet e platformave sociale të disa prej të akuzuarve dhe pjesëtarëve të tjerë të shoqatës.
Haki Bela, i cili besohet të jetë njëri nga liderët e grupit, në tre muajt e fundit ka shpërndarë dhjetëra video nga ligjëratat e Qazimit të cilat ai i poston rregullisht në platformat e ndryshme sociale, përfshirë YouTube.
Më 1 prill, ditën e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika, njëri prej pjesëtarëve të shoqatës publikoi në rrjetin social “TikTok” një fotografi në të cilën shfaqej Zekerija Qazimi.
Fotografia e tregon Qazimin para një foltoreje duke mbajtur një ligjëtarë në ambientet e një shoqate të emërtuar “Dëlirësia” me bazë në Gjilan.
Vatan Qaka, një tjetër i dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit Lika, i ka shpërndarë disa përmbajtje nga ligjëratat e ish-imamit Qazimi në profilin e tij në rrjetin social “TikTok”, të cilin e ka të regjistruar me emrin e llogarisë “muxhahid1”.
Përpos pjesë të ligjëratave të Qazimit, i akuzuari Qaka e ka shpërndarë në platformën “TikTok” edhe videon e ish-imamit kosovar të ISIS-it, Ridvan Haqifi, i njohur me nofkën al-Kosovi, teksa e kërcënonte Kosovën me ndërmarrjen e sulmeve terroriste.
“Vallahi do të vijnë ditë të zeza për juve. Vallahi do të keni frikë të ecni nëpër rrugë”, dëgjohet duke thënë Haqifi në një video që ishte publikuar më 2016 nga seksioni për media i ISIS-it “Alhayat Media Center”.
Ridvan Haqifi, sikurse terroristi Lavdrim Muhaxheri, ishte xhemat i imamit Zekirja Qazimi. Ai vdiq në moshën 27-vjeçare në vitin 2017 gjatë një beteje lufte në Siri.
Në një tjetër publikim, i akuzuari Qaka ka shpërndarë në fillimin e këtij viti një fotografi të Bujar Hysës, imamit nga Shqipëria të dënuar me 18-vite burgim për terrorizëm nga Gjykata e Apelit në Shqipëri, në vitin 2017.
Fotografia e Hysës përmbante glorifikim të Shtetit Islamik (ISIS).
“Ato organizata janë si pikat e ujit në oqean dhe oqeani është shteti islam”, citohej të ketë thënë Hysa në mbishkrimin e fotografisë, të cilën e ka shpërndarë Qaka.
Vrasja e rreshterit policor nuk ishte precedenti i parë penal i pjesëtarëve të “Rinia Islame Kaçanik”. Pjesëtarët e grupit janë proceduar penalisht në disa raste të tjera kriminale mes viteve 2023-2024.
Ngjarjet lidhen me veprimtari fetare me prirje ekstremiste. Kishin ndodhur në Kaçanik dhe Han të Elezit.
Afishe që përhapin propagandë kundër festimit të Vitit të Ri ishin vendosur në hapësirat publike të Kaçanikut në javën e fundit të dhjetorit, 2023. Kishte pasuar djegia e bredhit të Vitit të Ri në oborrin e Komunës së Hanit të Elezit, disa ditë më vonë. Incidenti i djegies së bredhit kishte ndodhur mëngjesin e 28 dhjetorit.
Haki Bela dhe Durim Kuka, dy pjesëtarë të “Rinia Islame Kaçanik” ishin arrestuar për përhapje të urrejtjes, përçarjes dhe modurimit mes grupeve të ndryshme për vendosjen e pamfleteve.
Në marsin e vitit 2024, Elmedin Raka, një pjesëtar i shoqatës dhe dy të miturit T.B. dhe V.T. (emra të njohur për redaksinë) ishin akuzuar dhe gjykuar për djegien e Gjykatës Themelore në Kaçanik. Raka dhe dy të miturit, ishin liruar nga akuzat në mungesë të provave.
Të martën, figura publike, përfshirë avokatë dhe gazetarë, kërkuan nga Prokuroria e Shtetit që të rishikohet kualifikimi i veprës penale ndaj të dyshuarve, e cila në këtë fazë është cilësuar si “vrasje e rëndë” në bashkëkryerje.
Kryeimami i Podujevës, Bekim Jashari tha se është i alarmuar nga rasti në Kaçanik. Ai i bëri thirrje organeve të hetuesisë dhe të drejtësisë që të hetojnë nëse në këtë rast ka elemente të ekstremizmit fetar dhe terrorizmit./Paparaci








