Aurora Group
KOSOVËLAJME

Grupi terrorist i Banjskës i përfshirë në protestat e dhunshme në Beograd të Serbisë

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka angazhuar edhe pjesëtarë të grupit terrorist që morën pjesë në sulmin e Banjskës, për të shkaktuar trazira në protestat e opozitës në Serbi.

Kështu kanë bërë të ditur burime të KosovaPress-it, sipas të cilëve, Gjorgje Balloviq, Nikolla Niciforoviq, Millan Ivanoviq dhe Zhivko Jakshiq, për disa ditë kanë qëndruar në Beograd për të marrë pjesë në protesta.

Dukato 1

Kjo sipas të njëjtit burim, për t’u infiltruar në turmë, pasi që konsiderohet se janë të panjohur në Beograd.

Ndërkaq në deklaratën e opozitës thuhet se “autoritetet përdorën dhunë për t’i paraqitur protestat paqësore si të dhunshme”.

Ndryshe, protestuesit në Serbi po kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

Sipas këtij koalicioni, në protestën e mbrëmshme u përdor forcë brutale nga regjimi.

Në deklaratën e SPN-së thuhet se njësitë speciale kanë përdorur forcë brutale ndaj qytetarëve.

“E rrahën njërin nga demonstruesit dhe ia thyen këmbën, duke e goditur me shqelma përderisa ishte i shtrirë në tokë. Pas protestës, policia sulmoi edhe Radomir Lazoviqin nga Fronti i Gjelbër i Majtë”, thuhet në njoftimin e SPN-së.

Ky koalicion politik deklaroi se janë arrestuar një numër i madh i qytetarëve paqësorë, për të cilët paralajmëroi se do të sigurojë mbrojtje ligjore.

Ndryshe, gjatë protestës së mbrëmshme dera e Kuvendit në Beograd është thyer dhe policia ka hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, të cilët vijuan për të shtatën herë demonstratën e tyre, që u thirr nga opozita.

Përfaqësuesit e listës opozitare “Serbia kundër dhunës” tentuan të hynin në Kuvend, në mënyrë që t’iu adresoheshin qytetarëve nga ballkoni i ndërtesës.

Ata shtyn derën, por nuk arritën të hynin, pasi u parandaluan nga policia.

Një pjesë e protestuesve thyen xhamat e dyerve dhe dritave të ndërtesës, ndërsa policia e përgjigj me gaz lotsjellës.

Pas incidenteve, përmes një adresimi për publikun nga Presidenca e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu drejtua qytetarëve serbë.

“Asnjë revolucion nuk është duke u zhvilluar, dhe ne po mundohemi që të mos lëndojmë asnjë nga demonstruesit përmes një reagimi të lehtë”, tha ai ndonëse videot e publikuara tregojnë se ndaj protestuesve u ushtrua dhunë.

Kujtojmë se, misioni vëzhgues i OSBE-së tha se zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi u përshkruan me parregullsi serioze, keqpërdorim të fondeve shtetërore dhe përhapje të frikës.

Eurodeputetët kanë kërkuar hetim të pavarur për parregullsitë në zgjedhje. SHBA po ashtu u kanë bërë thirrje autoriteteve serbe t’i hetojnë pretendimet për parregullsi. /kp

Weelnes