Hajnat në aksion në Mitrovicë – thyhet një shtëpi në Shupkovc e vidhet një veturë në qytet

Dy raste të ndara vjedhjeje janë raportuar në Mitrovicë, duke ngritur shqetësime për sigurinë e pronës private, shkruan Mitropol.
Rasti i parë është cilësuar si vjedhje e rëndë dhe ka ndodhur në fshatin Shupkovc. Sipas Policisë, burri ankesues ka raportuar se persona të panjohur, duke përdorur forcë, kanë depërtuar në shtëpinë e tij. Nga brenda janë vjedhur gjësende të ndryshme, vlera e të cilave ende nuk është bërë e ditur. Njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet fillestare dhe kanë nisur procedurat hetimore. Rasti po trajtohet dhe mbetet nën hetime.
Ndërkohë, rasti i dytë i vjedhjes është raportuar në rrugën “Afrim Zhitia” në Mitrovicë të Jugut, rreth orës 10:17. Sipas ankuesit, persona të panjohur i kanë vjedhur veturën me targa lokale. Edhe në këtë rast, Policia ka iniciuar hetimet për identifikimin e të dyshuarve dhe lokalizimin e veturës së vjedhur.
Autoritetet policore kanë bërë të ditur se të dy rastet janë duke u hetuar intensivisht dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë, duke raportuar çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e këtyre rasteve./Mitropol/








