Hamza: Shumica që doli nga zgjedhjet e fundit është treguar e paaftë t’i krijojë institucionet e reja, presidentja t’i shpallë zgjedhjet

Kryetari i ri i PDK-së, Bedri Hamza, ka komentuar zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës ku kandidati i dytë për kryeministër nga radhët e VV-së, Glauk Konjufca dështoi t’i siguroj votat e duhura për t’u zgjedhur në krye të Qeverisë.
Hamza tha se Shumica që doli nga zgjedhjet e fundit është treguar e paaftë t’i krijojë institucionet e reja dhe kërkoi nga presidentja t’i shpallë zgjedhjet sa më parë.
Postimi i plotë:
Dështimi i njëpasnjëshëm i dy mandatarëve tregon qartë se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen politike. Shumica që doli nga zgjedhjet e fundit është treguar e paaftë t’i krijojë institucionet e reja, duke shkaktuar pasiguri institucionale, politike dhe shtetërore.
Sot e kemi vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara: zgjedhjet e reja.
Presidentja e vendit duhet ta caktojë sa më shpejt datën e tyre, sepse mjaft kohë kemi humbur.
Qytetarët duhet ta rikthejnë stabilitetin institucional përmes votës së tyre, në mënyrë që ne ta krijojmë një qeveri funksionale, reformuese dhe të përgjegjshme.
Koha e fjalëve të mëdha ka përfunduar. Ka ardhur koha për një qeveri që punon.








