Haradinaj: Asociacionin do ta dërgoj menjëherë në Kushtetuse, Kurti i ndihmoi Rusisë e Serbisë
I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj është deklaruar rreth Asociacionit, për të cilin sot zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se është obligim i paplotësuar i Kosovës, raporton GazetaDemos.
Haradinaj tha se sa i përket kësaj teme, në qoftë se do të vjen në krye të pushtetit, si ndër punët e para të qeverisjes, do ta dërgoj Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.
“Unë në javën e parë e çoj në Gjykatë Kushtetuese, menjëherë. Arsyeja është se, nëse ne duam të ecim për në NATO, ne nuk duhet të dukemi asnjë ditë që jemi si logjika e tashme e kësaj qeverisje, që e bllokon vetën, që krijon pengesa. Ne duhet të lëvizim me shpejtësinë e dritës nëse duam t’i zëmë hapat për të cilët po flas unë”, tha Haradinaj.
I njëjti deklaroi se këto veprime të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke ia ngadalësuar punët Kosovës i ndihmuan Rusisë dhe Serbisë, teksa shtoi se Asociacioni do të dërgohet në Kushtetuese për t’u pastruar nga shkeljet e saj.
“Me thënë kjo qasja e Kurtit ka qenë shumë ndihmesë për Rusinë dhe Serbinë, pra vonimi i Kosovës me e zënë prespektivën, kontratën për NATO. Ekziston një situatë jo aq e qëndrueshme e sigurisë dhe jo e garantuar. Krizat ose vatrat e luftrave janë duke u zgjeruar dhe ka përpjekje për çrregullim të sigurisë globale, e Kosova nuk ka shumë kohë, sepse rajoni i Ballkanit është shumë atraktiv me u përfshi në këto agjenda të destabilizimit”.
“Ne kemi interes serioz me hy në NATO sa më shpejt. Kur ne e dërgojmë në Kushtetuese, s’e dërgojmë për fshehje të shkeljeve Kushtetuese, por po e dërgojmë në Kushtetuese për me u pastru prej të gjitha shkeljeve kushtetuese, ku ka shkelje të Kushtetuës mos t’i aprovon, por t’i hudh poshtë”, shtoi Haradinaj për KlanKosova.