
Në përkujtim të 25-vjetorit të rënies në altarin e lirisë të Dëshmorit të Kombit, Musa Hajrizi, Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar se më 6 tetor 2025 do të zhvillohet një ceremoni përkujtimore madhështore me homazhe dhe përurim të veprës monografike kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij.
Ngjarja organizohet nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi.
Agjenda e aktivitetit nis në orën 16:00 me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë (ish-Stanoc i Epërm), aty ku qytetarë, familjarë, përfaqësues institucionalë dhe bashkëluftëtarë do të përkulen para lapidarit të dëshmorit. Pas homazheve, duke filluar nga ora 17:00, në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri, do të bëhet përurimi i veprës monografike kushtuar jetës dhe heroizmit të Musa Hajrizit.
Kjo monografi, e cila përmbledh kujtime, dëshmi dhe rrëfime mbi jetën e dëshmorit, vjen si një pasuri e çmuar për historinë e luftës për liri, duke u bërë urë mes brezave dhe duke mbajtur gjallë kujtimin e atyre që dhanë gjithçka për atdheun.








