
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës që u mundëson qytetarëve kalimin nga patentë shoferët e lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Hovenier përmes një postimi në X, ka shkruar se përkrah përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancimin e vizionit të përbashkët për një Kosovë gjithëpërfshirëse dhe multietnike.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e qeverisë së Kosovës për të lehtësuar dhënien e patentë shoferëve kosovarë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne mbështesim përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancojnë vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë gjithëpërfshirëse, multietnike”, shkroi ambasadori.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë vendimin që u mundëson qytetarëve kalimin nga patentë shoferët e lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se ky vendim hyn në fuqi me datën 9 maj dhe është i vlefshëm deri me datën 9 gusht 2024.