
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vazhduar me prezantimin e fjalës së saj në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së.
Së fundmi, prokurori e ka publikuar një fotografi ku shihet Hashim Thaçi me armë, bashkë me disa luftëtarë të tjerë.
Sipas Prokurorisë, kjo fotografi ishte bërë afër një qendre ndalimi ku keqtrajtoheshin civilët.
Prokuroria pretendon se qendra të tilla ka pasur me dhjetëra, ku janë ndaluar qindra qytetarë.
“Pamja në ekran paraqet Shtabin e UÇK-së në Drenoc, ku janë mbajtur disa të ndaluar. Midis majit dhe korrikut të vitit 1998, së paku 38 persona u mbajtën të ndaluar pa proces ligjor të rregullt në Drenoc. Disa herë midis fundit të prillit dhe fillimit të gushtit të vitit 1998, Hashim Thaçi e vizitoi Drenocin. Në ekran duket Hashim Thaçi i armatosur dhe me uniformë gjatë një vizite në Malin e Zatriqit që është afër Drenocit”, ka thënë prokurori.








