IBCM bëhet institucioni i vetëm i arsimit të lartë nga Kosova që i bashkohet Aleancave Evropiane të Universiteteve

Kolegji Publik Ndërkombëtar i Biznesit Mitrovicë (IBCM) ka njoftuar për përfshirjen e tij në Aleancën prestigjioze Q-Helix, e cila është zyrtarisht e njohur si njëra nga 73 Aleancat Evropiane të Universiteteve nën Strategjinë Evropiane për Universitete.
Kjo arritje historike e bën IBCM-në institucionin e vetëm të arsimit të lartë nga Kosova që bëhet pjesë e këtij rrjeti të dalluar, duke iu bashkuar më shumë se 650 universiteteve nga mbarë Evropa që së bashku po e riformësojnë të ardhmen e arsimit të lartë përmes ekselencës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkufitar.
Nisma e Universiteteve Evropiane synon të krijojë një Hapësirë të fuqishme dhe të ndërlidhur Evropiane të Arsimit, duke forcuar lëvizshmërinë e studentëve, kapacitetet kërkimore dhe bashkëpunimin institucional. Brenda këtij kuadri, Q-Helix bashkon universitete dhe akterë kyç nga akademia, industria, qeveria dhe shoqëria civile, duke promovuar një qasje gjithëpërfshirëse ndaj arsimit të qëndrueshëm dhe zhvillimit shoqëror.
Përmes angazhimit të vet në Aleancën Q-Helix, IBCM ripohon misionin e vet për të ndërtuar ura bashkëpunimi, për të promovuar arsim cilësor e gjithëpërfshirës, dhe për ta pozicionuar Kosovën si kontribuese aktive në peizazhin akademik dhe inovativ evropian.








