Idrizi priti në takim profesorin dhe shkrimtarin e njohur Bedri Tahiri – dhuratë tre tituj të rinj librash

Në atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, kryetari i rizgjedhur i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka pritur sot në një takim urimi profesorin, veteranin e arsimit dhe shkrimtarin e njohur Bedri Tahiri, autor i 56 veprave letrare dhe studimore që kanë lënë gjurmë të thella në letërsinë dhe edukimin shqiptar, shkruan Mitropol.
Takimi, i zhvilluar në kabinetin e kryetarit Idrizi, u shoqërua me një moment të veçantë, profesori Tahiri i dhuroi kryetarit tre libra të rinj, botime që pasqyrojnë dekada pune, hulumtimi dhe përkushtimi ndaj kombit.
Idrizi u shpreh i nderuar për vizitën dhe dhuratën, duke theksuar se këto vepra janë më shumë sesa libra, janë dëshmi e një trashëgimie të çmuar intelektuale që profesor Tahiri ia ka dhënë vendit përmes gjithë jetës së tij profesionale.
Ai falënderoi profesorin për kontributin e gjatë e të pandalshëm në arsimimin e brezave, në pasurimin e letërsisë shqipe dhe në kultivimin e vlerave kombëtare./Mitropol/








