
Në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet komunale të 12 tetorit, kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për Asamblenë Komunale të Mitrovicës, Igballe Islami që ka numrin 3 në listë, ka ndarë me qytetarët angazhimin e saj dhe vizionin për të ardhmen e ndërmarrjeve publike në qytet.
Islami, e cila gjatë këtij mandati ka shërbyer si anëtare e Komisionit Komunal të Aksionarëve në NPL “Tregu”, shprehet se ka qenë nder i madh të kontribuojë nga afër në këtë ndërmarrje publike. Sipas saj, me mbështetjen e Komunës së Mitrovicës, janë realizuar subvencione dhe investime të domosdoshme për funksionimin e tregut.
“Kandidati për kryetar ka dhënë zotimin e qartë që investimet në këtë ndërmarrje do të vazhdojnë edhe më tej, sepse besojmë se një treg i rregulluar dhe funksional është interes i të gjithë qytetarëve tanë”, ka theksuar Islami, duke e lidhur vizionin e saj me angazhimet e kandidatit të PDK-së për kryetar, Arian Tahiri.
Ajo shprehet se synimi i saj si kandidate për Asamblenë Komunale është të përfaqësojë me përgjegjësi interesin qytetar dhe të kontribuojë që çdo ndërmarrje publike të jetë në shërbim të qytetarëve.
Postimi i Islamit erdhi bashkë me shpërndarjen e mesazhit të Arian Tahirit, i cili ka theksuar se modernizimi i tregut do të jetë një ndër projektet kryesore të tij në mandatin e ardhshëm. “Mitrovica do të bëhet me tregun e ri. Krijimi i markës ‘Made in Mitrovica’ do të mundësojë që çdo biznes të rritet dhe të arrijë potencialin maksimal”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas tij, bizneset, bujqit dhe blegtorët e Mitrovicës kanë shumë për të ofruar dhe një markë e tillë do të shndërrohet në simbol krenarie për qytetin.
Me këtë bashkëpunim politik dhe vizion të përbashkët, Islami dhe Tahiri po synojnë të sjellin një frymë të re zhvillimi ekonomik në Mitrovicë, duke e vendosur qytetarin dhe shërbimin publik në qendër të programit të tyre politik.







