Aurora Group
KOSOVËLAJME

Inspektorati i Arsimit thotë se nuk ka ndonjë dëshmi se nxënësi është rrahur apo bullizuar në Shkollën në Mitrovicë të Jugut

Nëna e një nxënësi të mitur të një Shkolle fillore në Mitrovicë të Jugut pretendonte se djali i saj po rrahet, shantazhohet, ofendohet, kërcënohet me armë të ftohta nga nxënësit e tjerë të shkollës.

Roadside

Pretendimet e saj, ajo i kishte publikuar në një profil në Facebook të premten, më 31.01.2025.

TEB

Në lidhje me këtë KALLXO.com ka kontaktuar Inspektoratin e Arsimit. Këta të fundit kanë pohuar se inspektorët kanë realizuar një vizitë në këtë Shkollë në Mitrovicë.

Të shtunën, më 01.02.2025, një ditë pas raportimit të nënës, thonë se kanë mbajtur një takim urgjent në Shkollë, në të cilin kanë marrë pjesë: Drejtori, mësimdhënësit, drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë të Jugut, Drita Kadriu, përfaqësues të Policisë, si dhe psikologia.

Sipas tyre, në këtë takim, Këshilli i mësimdhënësve përmes një deklarate në të cilën janë nënshkruar 23 prej tyre kanë mohuar akuzat në lidhje me rastin e pretenduar nga nëna e nxënësit.

“Sipas deklarimeve të mësimdhënësve, rasti i publikuar në media nuk është i saktë dhe nuk pasqyron realitetin. Sipas kësaj letre, nxënësi për të cilin është raportuar në media, më parë ka qenë nxënës në Shkollën “Eqrem Qabej”, ndërsa për shkak të problemeve që ka shkaktuar në atë Shkollë, ka kaluar në Shkollën “Akademia Ora”, në Prishtinë. Për shkak të problemeve është larguar edhe nga ajo Shkollë dhe është pranuar në Shkollën aktuale, për t’ju mundësuar vazhdimi i shkollimit.” – thuhet në përgjigjet e Inspektoratit të Arsimit.

Siç thotë Inspektorati, mësimdhënësit në letrën e tyre theksojnë se nxënësit në fjalë në fillim të gjysmëvjetorit i është gjetur një cigare elektronike. Gjithashtu theksojnë se edhe për numrin e madh të mungesave është njoftuar nëna e tij.

“Në bazë të gjejtjeve, Inspektorët e arsimit SIA në Mitrovicë konstatojnë se gjatë inspektimit nuk janë identifikuar dëshmi se nxënësi në fjalë është rrahur apo bullizuar nga nxënësit apo mësimdhënësit. Me rastin në fjalë është duke u marrë edhe Policia e Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale.” – potencojnë Inspektorati i Arsimit.

Nga Qendra për Punë Sociale në Mitrovicë të Jugut thonë se do t’i ofrojnë mbështetje fëmijës për të cilin nëna e tij po pretendon se ia kanë keqtrajtuar në Shkollë.

“Pa dyshim se si në çdo rast tjetër edhe ky rast do të trajtohet me devotshmëri dhe do t’i ofrohet mbështetje me të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat që ne si QPS-së kemi në dispozicion – duke përfshirë edhe mjedisin e sigurt dhe miqësor që Qendra jonë disponon.” – thuhet në përgjigjet e Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicë të Jugut.

Drejtoresha e Arsimit në këtë Komunë, Drita Kadriu thekson hapat që janë ndërmarrë deri më tani për këtë rast.

“E kemi takuar Këshillin e Klasëve të Larta (6-9), kemi kontaktuar me Policinë, pasi që prindi drejt ka shkuar në Polici, kemi takuar Inspektoratin, e kemi takuar nënën e nxënësit, e cila ka ardhur me avokatin e saj dhe me nxënësin.” – tha Kadriu.

Është raportuar se prindi së bashku me djalin e saj të mitur thotë se është paraqitur në Policinë e Mitrovicës, më 31.01.2025, për këtë rast.

Ajo pretendonte se kujdestarja e klasës ku mëson djali i saj është në dijeni për rastin dhe se ka marrë masë ndëshkuese ndaj të miturit duke e larguar nga klasa.

Më tej, prindi thoshte se djalin e saj e kanë kaluar në një klasë tjetër paralele dhe sipas saj një fëmijë “problematik” dhe të tjerë kanë shkuar në atë paralele dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti në një përgjigje e kishte konfirmuar se në orët e pasdites, më 31.01.2025, kanë pranuar një raportim nga nëna e një nxënësi në raport me Shkollën ku ai vijon mësimin.

“Bazuar në kompetencat dhe autorizimet policore, në koordinim edhe me institucionet relevante për trajtimin e të miturve, Policia ka filluar të trajtojë këtë rast.” – kishte thënë Zahiti, më 31.01.2025.

Kurse, Drejtori i Shkollës ku vijon mësimin i mituri i ka mohuar pretendimet e prindit të nxënësit – duke thënë se nuk është e vërtetë se fëmija i saj po keqtrajtohet e rrahet nga nxënësit e tjerë.

Drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë të Jugut, Drita Kadriu e kishte konfirmuar se janë në dijeni për rastin e raportuar nga një nënë, e cila pretendon se djali i saj po ofendohet, shantazhohet, kërcënohet me mjete të ftohta nga nxënësit tjerë të Shkollës.

“Jemi në dijeni për rastin dhe varësisht nga rezultatet do të merren masat.” – kishte thënë Kadriu më 01.02.2025.

Kadriu i është përgjigjur reagimit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci në lidhje me këtë rast, e cila hodhi kritika ndaj Komunës së Mitrovicës për trajtimin e rastit.

Sipas Kadriut, Nagavci po mbledh vota, pasi është kohë e fushatës elektorale për Zgjedhjet parlamentare.

Në reagimin e saj, ministrja Nagavci shprehte shqetësim të thellë për këtë rast dhe theksoi se dhuna në çfarëdo forme është e papranueshme dhe nuk tolerohet.

Nagavci i ka ftuar institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë me prioritet këtë rast dhe të ndërmarrin veprimet e duhura.

Më tej, ajo kishte vazhduar me kritika ndaj Komunës së Mitrovicës së Jugut duke thënë se rastet si ky do të ishin parandaluar shumë lehtë, nëse Komunat do ta bënin punën e tyre.

Market Florenti