Irani lëshon breshëri raketash drejt Izraelit
Zhvillime të reja në Lindjen e Mesme. Tashmë mundësia e një luftë të drejtpërdrejtë ndërmjet Izraelit dhe Iranit duket goxha e afërtë, pasi regjimi i Ajetollahut ka nisur një sulm masiv drejt shtetit izraelit, që udhëhiqet nga kryeministri Benjamin Netanjahu. Ushtria izraelite ka njoftuar se dhjetëra raketat janë lëshuar nga Irani drejt Izraelit. Çka po ndodh në Lindjen e Mesme?
Raketat janë lëshuar nga Irani në Izrael, sipas një deklarate të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Irani ka se kishte në shënjestër Izraelin të martën në përgjigje të vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe të tjerëve.
“Në përgjigje të martirizimit të dëshmorëve Haniyeh, Seyed Hassan Nasrallah dhe dëshmorit Nilfroshan, ne shënjestruam zemrën e territoreve të pushtuara”, thuhet në deklaratë, siç citon CNN.
“Nëse regjimi sionist reagon ndaj operacioneve të Iranit, ai do të përballet me sulme dërrmuese”,tha IRGC.
SHBA kishte paralajmëruar për një sulm të ardhshëm nga Irani kundër Izraelit. Sipas mediumit të njohur britanik, “The Guardian”,ushtria izraelite thotë se raketat tani janë lëshuar nga Irani drejt Izraelit. Tashmë ka pasur raportime për sirenat e sulmit ajror në Tel Aviv dhe tani sirenat paralajmëruese po bien në Jerusalem, sipas agjencisë së lajmeve.
Më poshtë e gjeni një postim në rrjetin social “X” nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), duke thënë se të gjithë civilët izraelitë janë në strehimore për bomba, ndërsa raketat nga Irani hidhen në Izrael.
Pak kontekst
Këto sulme raketore nga Irani në drejtim të Izraelit nuk janë të para gjatë muajve të fundit, pasi muaj më parë, Irani kishte nisur një sulm të paprecedent në drejtim të Izraelit, pas goditjes së Ambasadës së Iranit në Siri, ku vdiqën disa ushtarakë iranianë.
Sjellim ndër mend që Izraeli javën e kaluar nisi sulmin ajror ndaj Libanit, pasi Hezbullahu e sulmonte me raketa në drejtim të shtetit izraelit, që nga fillimi i luftës në Gaza. Gjatë sulmeve ajrore, Izraeli arriti të lokalizonte liderin e Hezbullahut, Hasan Nasrullahun, i cili u vra të shtunën e kaluar si pasojë e disa goditjeve precize me raketa.
Vrasja e Nasrullahut është parë si një fitore e madhe për Izralin, ndonëse ka frikë se kjo humbje do ta shtyjë Hezbullahun dhe Iranin, aleatin kryesor të kësaj organizate të konsideruar terroriste, drejt përshkallëzimit të luftës.
Situata e sigurisë në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar që nga shtatë tetori i vitit 2023, kur Hamasi hyri në Izrael, duke vrarë mbi 1 mijë persona dhe duke marrë peng shumë të tjerë. Një gjë e tillë, e shtyu Izraelin të ndërmarrë një sulm masiv në drejtim të Gazës, kryeqendrës së rezistencës së Hamasit, duke lënë të vrarë deri më tani mbi 40 mijë persona.