
Ish-kampioni olimpik botëror në peshëngritje, nga Irani, Kianoush Rostami, do të përfaqësojë Kosovën. Shtangisti 33-vjeçar është pajisur me pasaportë kosovare, shkruan Mitropol.
Lajmin e ka bërë të ditur Astrit Hasani në Radio Dukagjini. Hasani është president i Federatës Europiane të Peshëngritjes si dhe president i Federatës së Kosovës.
Rostami prej 2 korrikut do të përfaqësojë Kosovën.
“Një lajm tjetër i mirë për Kosovën është se ish-kampioni olimpik Kianoush Rostami nga Irani ka pranuar që të garojë për ne, duke nisur 2 korriku i këtij viti. Rostami do të marrë pjesë për Kosovën në Kampionatin Botëror, që do të mbahet në Norvegji dhe ne presim që të fitojmë medalje botërore. Me këtë rast dua të falënderoj presidenten e republikës, e cila në afat rekord i ka mundësuar marrjen e shtetësisë dhe tashmë ne e kemi dorëzuar pasaportën e Kosovës në Federatën Botërore”, shprehet Hasani.
I pyetur për vështirësitë eventuale në mbërritjen e tij në Kosovë, marrë parasysh lufta Izrael-Iran, kreu i federatës kosovare sqaroi se “ka alternativa dhe ne jemi në kontakt çdo ditë me peshëngritësin. Ai ka qenë në Kosovë edhe më herët dhe shumë shpejt pritet që të vijë në Kosovë për të përfaqësuar ekipin tonë”.
Kianoush Rostami kishte fituar medaljën e artë për Iranin në Lojërat Olimpike të vitit 2016, duke vendosur rekord me ngritjen e 396 kilogramëve. Rostami e kishte fituar edhe të argjendën në Lojërat Olimpike të vitit 2012./Mitropol/








