Medi
KOSOVËLAJME

Ish-komandanti i UÇK-së, Nexhat Dedia kritikon ashpër pushtetin dhe diasporën: Mos na e impononi jetën nga Perëndimi

 

Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Shalës, Nexhat Dedia, ka reaguar me një shkrim të gjatë dhe kritik ndaj zhvillimeve politike në vend, duke adresuar veçanërisht diasporën dhe qeverisjen aktuale, shkruan Mitropol.

Tripika

Dedia shpreh pakënaqësinë e tij për, siç thotë, imponimin e vendimeve politike nga gurbetqarët që jetojnë në Perëndim, të cilët sipas tij votojnë dhe më pas kthehen në jetën e tyre të sigurt jashtë Kosovës, ndërsa pasojat mbesin për qytetarët që jetojnë këtu.

Ai thekson se qytetarët në Kosovë po përballen çdo ditë me rritje të çmimeve, paga të ngrira, pasiguri institucionale dhe një shtet të bllokuar, duke shtuar se ndihma prej 100 eurosh e ndarë nga qeveria nuk është ndihmë sociale, por “blerje vote”.

“100 euro nuk e mbulojnë as rritjen mujore të çmimeve, as varfërinë dhe as mungesën e një ekonomie funksionale”, shkruan Dedia, duke e cilësuar këtë veprim si politikë të ulët dhe fyese për qytetarin.

Në shkrimin e tij, ish-komandanti ngre edhe pyetje të drejtpërdrejta për paaftësinë ose qëllimin e institucioneve, duke akuzuar se shteti po trajtohet si një eksperiment ideologjik. Ai rikujton sakrificën e atyre që kanë jetuar dhe luftuar në Kosovë, duke theksuar se në kohët më të vështira “ishim ne këtu”.

Në fund, Dedia u bën thirrje atyre që jetojnë jashtë vendit që, nëse janë aq të bindur në politikat aktuale, të vijnë dhe të jetojnë në Kosovë, përballë realitetit të përditshëm. “Kosova nuk është laborator emocionesh për ata që jetojnë rehat jashtë. Kosova është shtëpia jonë”, përfundon ai.

Weelnes