LAJME

Izraeli bastis dhe mbyll zyrën e Al Jazeeras në Bregun Perëndimor

Trupat izraelite bastisën zyrat e kanalit Al Jazeera në Ramallah në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli në orët e hershme të mëngjesit së 22 shtatorit, duke urdhëruar mbylljen e zyrës. Ky është veprimi i fundit në një fushatë të zgjeruar nga Izraeli kundër transmetuesit të financuar nga Katari, ndërsa ky i fundit raporton për luftën Izrael-Hamas në Rripin e Gazës.

Market Florenti
Roadside

Në kanalin e saj në gjuhën arabe, Al Jazeera transmetoi pamje të drejtpërdrejta përderisa trupat izraelite urdhëruan mbylljen e zyrës për 45 ditë. Kjo vjen pas një urdhri të lëshuar në maj, kur policia izraelite bastisi vendin e transmetimit të Al Jazeeras në Jeruzalemin Lindor, duke konfiskuar pajisjet dhe ndaluar transmetimet në Izrael, si dhe duke bllokuar faqet e saj të internetit.

Market Florenti
Florenti Company
Market Florenti
Koha

Kjo ishte hera e parë që Izraeli mbylli një media të huaj që operonte në vend. Megjithatë, Al Jazeera vazhdoi të operojë në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli dhe në Rripin e Gazës, territore që palestinezët shpresojnë t’i kenë në shtetin e tyre të ardhshëm.

Ushtria izraelite nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga Associated Press. Al Jazeera e dënoi këtë veprim, ndërsa vazhdoi transmetimet e drejtpërdrejta nga Ammani, në Jordaninë fqinje.

Trupa izraelite të armatosura hynë në zyrë dhe i thanë një gazetari, live në transmetim, se zyra do të mbyllej, duke thënë se stafi duhej të largohej menjëherë. Më vonë, rrjeti transmetoi pamje të trupave izraelite që shkatërronin një pankartë në ballkonin nga zyra e Al Jazeeras. Sipas Al Jazeeras, pankarta përmbante një imazh të Shireen Abu Akleh, një gazetare palestinezo-amerikane e vrarë nga forcat izraelite në maj 2022.

“Ka një vendim gjykate për mbylljen e Al Jazeera për 45 ditë”, i tha një ushtar izraelit shefit të zyrës lokale të Al Jazeeras, Walid al-Omari, në transmetimin live. “Ju kërkoj të merrni të gjitha kamerat dhe të largoheni nga zyra në këtë moment”.

Al-Omari më vonë tha se trupat izraelite filluan të konfiskonin dokumente dhe pajisje në zyrë, ndërsa gazi lotsjellës dhe të shtënat mund të shiheshin dhe dëgjoheshin në atë zonë.

Palestinezët siguruan një autonomi të kufizuar në Gazë dhe pjesë të Bregut Perëndimor përmes marrëveshjeve të Oslos të vitit 1993. Ndërsa Izraeli okupon dhe kontrollon zona të gjera të Bregut Perëndimor, Ramallah është nën kontrollin e plotë politik dhe të sigurisë të palestinezëve, duke e bërë bastisjen izraelite në zyrën e Al Jazeeras të papritur.

Sindikata e Gazetarëve Palestinezë dënoi bastisjen dhe urdhrin izraelit.

“Ky vendim ushtarak arbitrar është një agresion i ri ndaj punës gazetareske dhe mediave”, tha sindikata.

Autoriteti Palestinez administron pjesë të Bregut Perëndimor. Forcat e tij u dëbuan nga Gaza kur Hamasi mori pushtetin në vitin 2007 dhe tani nuk ka asnjë fuqi atje.

Më vonë, Ministri i Komunikimeve i Izraelit, Shlomo Karhi, përshkroi bastisjen si një veprim ndaj “zërit të Hamasit dhe Hezbollahut”.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë kanalet e armikut dhe të sigurojmë mbrojtjen e luftëtarëve tanë heroikë”, shkroi Karhi në platformën sociale X. Ai nuk adresoi se mbi çfarë baze juridike Izraeli urdhëroi mbylljen e zyrës.

Komiteti me seli në Nju Jork për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga bastisja izraelite.

“Gazetarët duhet të mbrohen dhe të lejohen të punojnë lirshëm”, tha komiteti.

Rrjeti ka raportuar vazhdimisht për luftën Izrael-Hamas që nga sulmi i parë i grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja më 7 tetor dhe ka mbajtur transmetime 24-orëshe nga Gaza mes ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit, që ka shkaktuar viktima në radhët e stafit të saj. Mbetet e paqartë nëse ushtria izraelite do të synojë edhe operacionet e Al Jazeera në Gazë.

Përkrah raportimeve nga vendi për viktimat e luftës, krahu arab i Al Jazeeras shpesh publikon deklarata video nga Hamasi dhe grupe të tjera militante rajonale.

Kjo ka çuar në akuza nga zyrtarët izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, se rrjeti ka “dëmtuar sigurinë e Izraelit dhe ka nxitur kundër ushtarëve”. Këto akuza janë mohuar me forcë nga Al Jazeera, e cila financohet kryesisht nga Katari, që ka luajtur rol kyç në negociatat midis Izraelit dhe Hamasit për arritjen e një armëpushimi për t’i dhënë fund luftës.

Një urdhër për mbylljen e Al Jazeera në Izrael është përsëritur vazhdimisht që nga ajo kohë, por ende nuk ishte urdhëruar mbyllja e zyrave të saj në Ramallah.

Qeveria izraelite ka ndërmarrë masa kundër gazetarëve të veçantë gjatë dekadave që nga themelimi i saj në 1948, por përgjithësisht lejon një skenë mediatike të larmishme që përfshin zyra të huaja nga e gjithë bota, madje edhe nga vendet arabe. Ajo gjithashtu bllokoi transmetimet e huaja të kanalit të lajmeve Al Mayadeen, me qendër në Beirut, të lidhur me Hezbollahun, në fillim të luftës.

Kritikat ndaj Al Jazeeras nuk janë të reja. Qeveria amerikane e veçoi transmetuesin gjatë pushtimit të Irakut nga Amerika pas pushtimit të saj në 2003 që përmbysi diktatorin Saddam Hussein dhe për transmetimin e videove të ish-kreut të al-Kaidës, Osama bin Laden.

Al Jazeera është mbyllur ose bllokuar edhe nga qeveritë e tjera të Lindjes së Mesme.

Në vitin 2013, autoritetet egjiptiane bastisën një hotel luksoz që përdorej nga Al Jazeera si bazë operative pas marrjes së pushtetit nga ushtria, që pasoi protestat masive kundër Presidentit Mohammed Morsi. Tre anëtarë të stafit të Al Jazeera morën dënime me burgim prej 10 vjetësh, por u liruan më 2015 pas kritikave të gjera ndërkombëtare.

Lufta Izrael-Hamas filloi kur luftëtarët e drejtuar nga Hamasi vranë rreth 1.200 persona, kryesisht civilë, në një sulm më 7 tetor në jug të Izraelit. Ata rrëmbyen rreth 250 persona të tjerë dhe ende mbajnë rreth 100 pengje. Fushata e Izraelit në Gaza ka vrarë të paktën 41.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Mbyllja e zyrës së Al Jazeeras në Ramallah ndodh gjithashtu ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten për një zgjerim të mundshëm të luftës në Liban, ku pajisje elektronike shpërthyen javën e kaluar në një fushatë të mundshme sabotimi nga Izraeli kundër Hezbollahut.

Shpërthimet të martën dhe të mërkurën vranë të paktën 37 persona — përfshirë dy fëmijë — dhe plagosën rreth 3.000 të tjerë në Liban./REL/