LAJME

Izraeli bombardon Gazën pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit, së paku 198 palestinezë të vrarë e mbi 1000 të lënduar

Burimet mjekësore të mediumit Al Jazeera në Gaza thonë se të paktën 198 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite të nisura pas një ofensive të Hamasit kundër Izraelit që vrau të paktën 40 persona, transmeton “Mitropol”.

Grupi që drejton enklavën e rrethuar tha se operacioni i tij i befasishëm dhe në shkallë të gjerë ishte kundpërgjigje ndaj përdhosjes së xhamisë Al-Aksa dhe rritjes së dhunës së kolonëve izraelitë ndaj muslimanëve në Palestinë.

Market Florenti
Florenti Company
Koha
Market Florenti

Hamasi thotë se ka lëshuar mijëra raketa dhe ka kapur “një numër të madh” izraelitësh pasi luftëtarët e tij kaluan në Izrael nga Rripi i Gazës.

Operacioni vjen pasi mijëra kolonë izraelitë në ditët e fundit kryen turne provokuese në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar gjatë festës hebraike të Sukkot.

Ai gjithashtu pason një rritje të madhe të dhunës së kolonëve izraelitë kundër palestinezëve gjatë vitit të kaluar, duke ndodhur me një normë prej tre në ditë për tetë muajt e parë të 2023, sipas Kombeve të Bashkuara.

Grupi i armatosur palestinez Hamas ka nisur Operacionin “Përmbytja e Al-Aksës” kundër Izraelit në përshkallëzimin më serioz që kur Izraeli dhe Hamasi luftuan një luftë 11-ditore në vitin 2021.

Hamasi tha se kishte lëshuar 5000 raketa, ndërsa Izraeli konfirmoi se luftëtarët e grupit kishin hyrë në territorin e tij.

Daniel Hagari, një zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha se grupi sulmoi nga toka, deti dhe ajri. Raundi i parë i raketave u lëshua në orën 6:30 të mëngjesit me kohën lokale (03:30).

Ushtria izraelite tha gjithashtu se nisi “Operacionin Shpata të Hekurta” kundër grupit të Hamasit në Rripin e Gazës.

Sulmet herët në mëngjes ndodhën në Simchat Torah, një festë e cila bie drejt përfundimit të festivalit njëjavor hebre, i njohur si Sukkot, ose Festa e Tabernakujve.

Raketat u hodhën deri në veri deri në Tel Aviv. Hamasi dërgoi gjithashtu luftëtarë në Izraelin jugor.

Mediat izraelite thanë se persona të armatosur kishin hapur zjarr ndaj kalimtarëve në qytetin Sderot dhe pamjet që qarkullonin në mediat sociale dukeshin se tregonin përleshje në rrugët e qytetit si dhe persona të armatosur me xhipa që enden nëpër fshat. Një raport pretendonte se luftëtarët e Hamasit kishin marrë kontrollin e qendrave të shumta të popullsisë civile izraelite, ku banorët po luteshin për ndihmë nga qeveria e tyre.

Ushtria izraelite thotë se dhjetëra avionë luftarakë po kryejnë sulme ndaj objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.

Aktualisht, betejat me armë po zhvillohen në dhe rreth qyteteve Kfar Aza, Sderot, Sufa, Nahal Oz, Magen, Be’eri dhe bazën ushtarake Re’im, raportoi Times of Israel.

Gjersa zyrtarët izraelitë të shëndetësisë thanë se të paktën 40 izraelitë janë vrarë dhe 750 janë plagosur në sulmet e Hamasit, Palestina njofton se nga kundërsulmi janë vrarë të paktën 198 palestinezë dhe ka mbi 1000 të lënduar, ani pse ekspertët e shëndetësisë thonë se s’po kanë qasje në zonat e bombarduara nga Izraeli.

Zëdhënësi i Hamasit, Halid Kadumi i ka thënë Al Jazeera-s se operacioni ushtarak i grupit është një përgjigje ndaj të gjitha mizorive me të cilat janë përballur palestinezët gjatë dekadave nga Izraeli.

“Ne duam që komuniteti ndërkombëtar të ndalojë mizoritë në Gaza, kundër popullit palestinez, vendeve tona të shenjta si xhamia e shenjtë Al-Aksa. Të gjitha këto janë arsyeja për fillimin e kësaj beteje,” tha ai.

“Kjo është dita e betejës më të madhe për t’i dhënë fund pushtimit të fundit në tokë,” tha Muhammed Deif, komandanti ushtarak i Hamasit, duke shtuar se u lëshuan 5000 raketa.

“Të gjithë ata që kanë një armë duhet ta përdorin atë. Ka ardhur koha,” tha Deif, sipas raporteve.

Hamasi u bëri thirrje “luftëtarëve të rezistencës në Bregun Perëndimor” si dhe “kombeve arabe dhe islamike” që t’i bashkohen betejës, në një deklaratë të postuar në Telegram./Mitropol/

Përtheu dhe përshtati: Mitropol Media