Joserioziteti institucional: Katër ditë pas zgjedhjeve reagoi presidentja dhe KQZ-ja mbajti mbledhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe presidentja Vjosa Osmani, e cila e ka emëruar kryetarin e KQZ-së, nuk kanë qenë në nivelin e detyrës këto ditë.
Derisa procesi zgjedhor, pas ditës se zgjedhjeve, u përballë me kritika të shumta për shkak të problemeve me platformën elektronike të raportimit të rezultateve dhe problemeve tjera teknike, këto dy institucione nuk e panë të arsyeshme të reagojnë për disa ditë.
Shqetësimet e shumta të të gjitha partive politike për integritetin zgjedhor duket se kanë nxitur reagimin e këtyre dy institucioneve.
Vetëm katër ditë pas zgjedhjeve, presidentja Vjosa Osmani reagoi dhe KQZ-ja mbajti mbledhjen e parë, ku u diskutuar për shqetësimet e ngritura.
Shefja e shtetit të enjten është informuar me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Në njoftimin e Presidencës për takimin janë dhënë detajet e diskutimit në mes të Osmani dhe Radoniqit.
“Lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve, z. Radoniqi sqaroi se KQZ-ja, menjëherë ka ftuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi çështjet e identifikuara që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme. Ky raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem. Njëkohësisht, Presidentja Osmani është njoftuar nga z. Radoniqi se KQZ-ja, është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve”, është thënë në njoftim, duke shtuar se e para e vendit ka qenë vazhdimisht në kontakt të vazhdueshëm me të parin e KQZ-së.
“Që nga dita e zgjedhjeve, Presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Kryetarin Radoniqi si dhe institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik. Në takim, Presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vetë votës së qytetarëve”, është thënë në njoftim.
Pas këtij, takimi Radoniqi ka thirrur edhe mbledhjen e KQZ-së për të diskutuar rreth shqetësimeve që janë ngritur për procesin zgjedhor.
Para anëtarëve të KQZ-së, ai ka konfirmuar dyshimet e tyre në lidhje me problemet në uebfaqe natën kur po publikoheshin rezultatet preliminare.
Ai ka bërë me dije se organet kompetente do të qartësojnë gjithçka në lidhje me ndërhyrjet në natën e zgjedhjeve.
“Kjo çështje tash është në duar të policisë dhe prokurorisë, pa e marrë raportin nga ta ne nuk do të japim asnjë informacion, kemi dyshimet tona, por ato dyshime tona janë adresu në polici, policia do ta japë raportin pasiqë të marrim ndonjë përgjigje, edhe ne do ta bëjmë publike”, ka thënë Radoniqi.
Në lidhje me këto probleme, gjatë mbledhjes e dha një informacion anëtari i Vetëvendosjes në këtë institucion, Alban Krasniqi.
Ai ka thënë se dy persona kanë vendosur të dhëna “përtej asaj që është e logjikshme”.
“Në lidhje me ata që u tha për ditën/natën ezgjdhjeve, ai ka qenë problem teknik dhe kurrë nuk u sqaru mjaftueshëm. Data entry, futja e të dhënave është bërë prej njerëzve të angazhum, që janë njerëz të thjeshtë, sepse edhe sistemi është i thjeshtë. I vetmi gabim ka qenë që dy persona, dy futës të dhënave, kanë fut shifra përtej asaj që është e logjikshme. Derisa është identifiku ky problem, që ka qenë 20-30 për qindëshi i votave kur kjo u shfaq, ajo është kap prej mediave, është bërë publike, shumë mirë, mendoj që të gjithë kanë festu atë natë, edhe kjo nuk ka diçka të keqe, VV ra prap në normalitet dhe vazhduan festat deri në orën 01:00, as për Vit të Ri s’ka pasë”, ka thënë Krasniqi.
Gjatë këtyre katër ditëve, publiku është informuar vetëm nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.