02KOSOVËLAJME

Jugu i mbyllur të dielën, mitovicasit ‘vërshojnë’ veriun për pazar

E frekuentojnë vetëm pëllumbat. Dyert e marketit “Emona Center” në qendër të Mitrovicës do vazhdojnë të mbeten të mbyllura të dielave deri në sezonin e verës. Por gjendje të njejtë nuk kanë edhe dyert e filiales së këtij marketi në veri, ato vazhdojnë të mbeten të hapura edhe ditëve të diela, shkruan “Mitropol”.

E nga kjo e diel, shumica e bizneseve në jug të Mitrovicës do jenë të mbyllura. Ato qëndruan të hapura nga 15 dhjetori i 2023-ës e deri më 15 janar të 2024-ës, si rrjedhojë e rregullores 07/2023 së nxjerrë nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut.

Florenti Company
Koha
Market Florenti

Arsyetim për hapjen e bizneseve gjatë këtyre katër të dielave ishte fluksi i mërgimtarëve gjatë sezonit dimëror dhe festave të fundvitit.

Por, gjendje e njejtë nuk është edhe në veri. Bizneset atje nuk mbyllen kurrë, andaj mitrovicasit nga jugu të dielave vërshojnë veriun për të bërë pazarin ditor.

E rregullorja e njejtë që e mbanë të mbyllur ETC-në në jug, nuk vlenë edhe për ‘Emona Center’ të veriut që ndodhet vetëm një urë larg ETC-së.

“Krejt lokalet janë mbyllur në jug. Palidhje se njeriu harron diçka me ble gjithmonë. Ish dashtë bile një market i madh ose disa të vogla me mbetë hapur.”, thotë një qytetar i pyetur nga “Mitropol” për arsyen që e solli të bënte blerje në veri.

Rregullorja 07/2023 u nxorr me arsyetimin se ky vendim ishte kërkesë e vet bizneseve, por megjithatë, ajo kishte gabime në formulim, duke obliguar mbylljen edhe për ndërmarrjet publike.

Nëse të dielen do u shpërthente gypi i ujit, punëtorët e ujësjellësit do gjobiteshin po të dilnin në punë si rrjedhojë e gabimeve në rregulloren 07/2023. Njejtë do veprohej edhe nëse mbeturinat do vlonin në qytet, punëtorët e pastrimit e kishin të ndaluar punën e pastrimit. Njejtë do veprohej edhe nëse do u ndalej rryma.

Furrat poashtu ishin të hapura jashtëligjshem, pasi sipas gabimeve të rregullores 07/2023 edhe ato do duhej të qëndronin mbyllur.

Edhe ish-kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu thotë se vështirësi për të bërë afarizëm ka më së shumti sektori privat. Ai tha se fuqia blerëse e qytetarëve të Kosovës nuk është në nivelin e dëshiruar dhe blerjet po kryhen kryesisht në suaza ditore.

“Vendimet e tilla për mbyllje të marketeve dhe lokaleve shërbyese në ditët e diela duhet analizuar nga dy këndvështrime. Duhet të analizohet edhe nga këndvështrimi i qytetarëve por në anën tjetër edhe i bizneseve. Është e vërtetë që ndoshta në një masë bizneset do kursejnë fuqi punëtore dhe do t’i ulin shpenzimet e tyre. Mirëpo, ajo çka është më shqetësuse është fakti që këto rregullore për mbyllje biznesesh po ndodhin vetëm në kuadër të nivele lokale të kuvendeve komunale.”, tha Gërxhaliu për “Mitropol”.

Me aprovimin e rregullores së re 09/2023 me ndryshime, të dielave u lejohet hapja marketeve të pompave të derivateve, parukerive, gastronomisë, ndërmarrjeve publike dhe barnatoreve e furrave.

Drejtori i Inspeksionit në Mitrovicë tha se do inspektojnë dhe gjobisin bizneset të cilat nuk respektojnë këtë rregullore./Mitropol/