Kalon në lexim të parë Buxheti për vitin 2025
Me 59 vota për ka kaluar në lexim të parë Projektligji për Buxhetin e vitit 2025.
Për këtë projektligj kanë votuar 61 deputetë, dy prej të cilëve abstenuan.
Ndërkohë, Armend Muja, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuar që votimi i dytë për Projektligjin e Buxhetit për vitin 2025, të bëhet më 21 nëntor.
Këtë kërkesë e kanë kundërshtuar partitë opozitare në Kuvend.
Buxheti për vitin 2025 do të jetë 3.6 miliardë euro ose për 9 për qind më i lartë se buxheti i këtij viti.
Gjatë prezantimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se projektbuxheti është “historik”.
Ndryshe, shqyrtimi i sotëm ishte i pari në Kuvendin e Kosovës.
Projektbuxheti duhet të dalë edhe në shqyrtim të dytë, ndërsa në raste të caktuara del edhe në të tretin.
Ai duhet të miratohet më së largu deri në fund të këtij viti.