Kamioni me 1600 zogj të kontrabanduar futet nga Serbia në Kosovë dhe shkakton aksident, pasagjeri i ik Policisë

Një rast i pazakontë është zbuluar nga Policia e Kosovës gjatë një patrullimi rutinë në zonën kufitare të Banov Do, komuna e Zveçanit. Në orët e pasdites, forcat policore ndaluan një automjet të drejtuar nga një shtetas serb, i cili dyshohet se kishte kaluar ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë përmes rrugëve të paautorizuara, njofton “Mitropol”.
Gjatë ndërhyrjes, pasagjeri i automjetit, gjithashtu shtetas serb, u largua në drejtim të panjohur duke shmangur arrestimin. Përveç kalimit të paligjshëm të kufirit, automjeti i dyshuar kishte shkaktuar edhe një aksident trafiku.
Një kontroll i detajuar në mjetin e ndaluar zbuloi një sasi të madhe mallrash kontrabandë, përfshirë dhjetë pako me gjithsej 1600 zogj, si dhe disa pako me produkte ushqimore të paidentifikuara.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, automjeti dhe mallrat janë sekuestruar dhe transferuar në terminalin doganor për procedura të mëtejshme ligjore. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur pasagjerin që u largua nga vendi i ngjarjes.
Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në parandalimin e aktiviteteve ilegale përgjatë kufirit dhe në ruajtjen e sigurisë për të gjithë qytetarët./Mitropol/