Kastrati: Vuçiqit s’i konvenojnë në pushtet gjigantët e UÇK’së, por eurokremat si Kurti e Taravarat
Deputeti i PDK’së në Kuvendin e Kosovës, Ardian Kastrati, ka reaguar pas deklaratave të Afrim Gashit, kryetarit të Alternativës në Maqedoninë e Veriut.
Kastrati, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për siç e quan ai “instalim të gjuhës helmuese” mes shqiptarëve.
“VUÇIÇIT NUK I KONVENOJNË NË PUSHTET GJIGANTËT E UÇK-së si HASHIM THAÇI APO ALI AHMETI. ATIJ I KONVENOJNË EUROKREMAT SI KURTI E TARAVARAT. DIHET PSE!”, ka shkruar ai.
“…Sepse Ali Ahmeti e Hashim Thaçi i dolën Vuçiçit përballë me UÇK duke e përzënë nga Kosova e Maqedonia me ndihmën e aleatëve perendimorë. Duke e bërë Kosovën shtet e shqiptarët të barabartë në Maqedoni”, vijon postimi i tij.
Afrim Gashi, kryetar i Alternativës, pjesë e opozitës shqiptare që po përkrahet nga Vetëvendosja, ka barazvlerësuar Ali Ahmetin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërsa ka prezantuar aleancën shqiptare dhe Kurtin si heronj. Për këtë ka reaguar edhe BDI-ja.
Gashi, me anë të një postimi në ‘Facebook’ mbrëmë ka marrë për shkas një deklaratë të Vuçiqit, i cili ka citohet të ketë thënë se Kurti po dëshiron të sundojë edhe në Maqedoninë e Veriut.
Ai ka thënë se pas kësaj deklarate është bërë e qartë beteja politike. Ali Ahmetin e BDI’së e ka radhitur me Vuçiqin, ndërkaq opozitën shqiptare me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Prej sonte beteja jonë politike është bërë edhe më e qartë. Pyetja e zgjedhjeve të 8 majit do të jetë: “A jeni me Vuçiqin e Serbisë e Ali Ahmetin apo jeni me opozitën e bashkuar shqiptare – Lidhja Europiane për Ndryshim dhe Albin Kurtin?”. Më pastër se kaq nuk mund të bëhej. Njësoj edhe më lehtë për të vendosur”, ka shkruar ai.