Aurora Group
KOSOVËLAJME

KEK-u demanton KESCO-n: Nuk ka kolaps energjetik

Korporata Energjetike e Kosovë ka dalë me një sqarim të gjatë, pasi KESCO njoftoi më herët për import të rrymës elektrike, ngaqë KEK-u ditëve në vijim s’do të prodhojë fare energji elektrike, shkruan Mitropol.

KEK-u pretendon se operimi i njësive po vazhdon normalisht dhe nuk ka kolaps prodhimi, ndërsa në njoftim, përmenden disa probleme që ekzistojnë, shkaku , sipas tyre, i stërvjetërimit të centraleve Ksoova A dhe Kosova B.

Aurora Group

“Njësitë e Termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B” janë të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paplanifikuara dhe të vështira për t’u parashikuar me saktësi. Megjithatë, ekipet tona teknike janë në gatishmëri të plotë dhe reagojnë me profesionalizëm dhe përkushtim të menjëhershëm për çdo situatë”, thuhet në njoftim.

Njoftohet se njësia A3 është kthyer në funksion, ndërsa ajo B1 është jashtë funksioni, por se parashihet të kthehet në punë brenda 48 orëve. Sipas tyre, po punohet edhe për rikthimin e njësive të tjera të termocentralit Kosova A në ditët ardhshme.

“Edhe pse dje nuk është bërë nominimi për furnizim me energji, kjo është pasojë e pasigurisë së lartë teknike dhe kushteve që e bënin rikthimin e njësisë A3 pothuajse të pamundur. Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe të pandërprerë të stafit teknik, kjo njësia është rikthyer sot në operim dhe është në prodhim të rregullt”, sqaron KEK-u.

Ndërsa për njësinë B1, siç shkruan Periskopi, thuhet se ajo nuk është nominuar shkaku i vështirësive teknike, që lidhen me rritjen e humbjeve të ujit në kaldajë, rrjedhjet e avullit në sistemin e gypave dhe sinjalizimin e një defekti në filtrin elektrik.

“Pavarësisht përpjekjeve maksimale për ta mbajtur në operim, ndalja e saj është planifikuar të ndodhë në orët e para të mëngjesit të 21.06.2025, me qëllim të evitimit të ndonjë avarie më të madhe apo të paparashikueshme që mund të cenonte sigurinë teknike të njësisë dhe sistemit në tërësi”, thuhet në njoftim.

“KEK sh.a. është duke angazhuar të gjitha kapacitetet për sanimin e situatës dhe rikthimin e njësisë B1 në operim brenda afatit të parashikuar prej 48 orësh, në varësi të shkallës së dëmtimeve të gypave që duhet të zëvendësohen në kaldajë”, vazhdon tutje njoftimi./Mitropol/

Dukato 1