Dy muaj pas incidentit që ndodhi te kafeneja ‘Gusto’ në sheshin kryesor të Mitrovicës, lokal ky që ishte cak i një sulmi të rrezikshëm, janë arrestuar dy persona që dyshohet se kishin hedhur granatë dore. Sinjali raportoi mbrëmë se të dyshuarit ndodhen në ndalim, ndërsa tashmë ka mësuar identitetin e tyre.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Arjan Delijaj dhe Gzuart Hisenaj, të cilët po dyshohen për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Lajmin për arrestimin e tyre e ka konfirmuar të mërkurën edhe Policia e Kosovës, me ç’rast u bë e ditur se deri te identifikimi dhe arrestimi i tyre erdhi pas sigurimit të provave që dëshmonin përfshirjen e tyre në incident.
“Shpërthimi kishte ndodhur në afërsi të derës së hyrjes së lokalit dhe si pasojë e shpërthimit kishte pasur dëme materiale në atë lokal e gjithashtu ishin dëmtuar xhamat edhe të dy lokaleve të tjera. Në lidhje me rastin ishte njoftuar prokuroi dhe sipas udhëzimeve të tij ishte iniciuar rasti për veprën penale ,,Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve të DRP-Mitrovicë Jugu kishin zhvilluar hetime intensive disa mujore në lidhje me këtë rast dhe kishin arritur të siguronin prova materiale të rëndësishme për identifikimin e personave të dyshuar.
Provat i ishin prezantuar prokurorit dhe pasi ishte siguruar Urdhëresa për kontroll nga ana e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, hetuesit rajonal sot me datë 23.08.2023, kanë realizuar kontrollin në një lokacion dhe kanë gjetur prova të reja të cilat janë sekuestruar. Pas kontrollit, në bazë të dyshimit të arsyeshëm janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale në fjalë.”