Këta janë katër kryetarët serb që do betohen sot në Veri me stemën dhe flamurin e Republikës së Kosovës

Në orën 11:00 në Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicën e Veriut do të mbahen njëkohësisht seancat konstituive, ku kryetarët nga Lista Serbe, pas fitores në zgjedhjet lokale, do ta marrin zyrtarisht pushtetin.
Në ora 11:00 është paraparë ardhja dhe nënshkrimi i këshilltarëve të Kuvendit Komunal dhe pjesëmarrësve të tjerë.
Ministri në detyrë i Administratës dhe Psuhtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha më herët se ministria e tij do të sigurojë që seancat konstituive të kryetarëve serbë të mbahen në përputhje me ligjet e Kosovës.
Pas zgjedhjeve lokale të tetorit, komuna e Mitrovicës së Veriut do të udhëhiqet nga Milan Radojeviq, Zveçani nga Dragisha Miloviq, Leposaviqi nga Zoran Todiq, dhe Zubin Potoku nga Milosh Peroviq.
Sot përfundon zyrtarisht mandati i katër kryetarëve shqiptarë, të cilët udhëhiqnin katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të mbajtura në prill të vitit 2023, të cilat serbët dhe përfaqësuesit e tyre politikë i bojkotuan pas largimit të mëhershëm nga institucionet e Kosovës./Kossev/








