Medi
KOSOVËLAJME

KGJK voton kundër kthimit të gjyqtarëve serbë në gjyqësor

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e mbajtur të enjten, ka refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqje të dorëheqjeve nga sistemi gjyqësor.

Me 9 vota për, një kundër dhe një abstenim, u refuzua kërkesa për kthimin e gjyqtarëve dhe stafit serb. Kundër votoi anëtarja Ivana Milenkoviq kurse abstenoi kryesuesi Rrustem Thaqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Aurora Group

Emrat e të dorëhequrve dërgohen te ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu për lirim nga detyra.

Milenkoviq propozon kthimin e gjyqtarëve e stafit serb, kundërshtohet nga këta anëtarë të KGJK-së

(Përditësuar, ora 11:19)- Anëtarja Ivana Milenkoviq ka kërkuar që të aprovohen tërheqjet e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit serb të dorëhequr nga sistemi gjyqësor. Por, gjatë diskutimit në mbledhjen e së enjtes në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, anëtarët Artan Abazi, Bashkim Hyseni dhe Ahmet Imami, kundërshtuan duke njoftuar se do të votojnë kundër.

Anëtari Artan Abazi tha se si anëtar i KGJK-së i ka të gjitha kërkesat e gjyqtarëve dhe stafit serb për tërheqjen e dorëheqjeve, të cilët kanë shprehur vullnetin për kthim në sistem gjyqësor.

Ai theksoi se ata në vitin 2022 kishin dhënë dorëheqje të parevokueshme, kurse pas katër vitesh paraqitën kërkesë për t’u kthyer në punë.

“Si anëtar, konsideroj se gjyqtarët dhe stafi administrativ, përveç gjërave të tjera ata kanë humbur edhe aftësinë profesionale për të ushtruar pozitën e gjyqtarit edhe stafi tjetër”, tha Abazi.

Abazi shtoi se gjyqtarët në Republikën e Kosovës kanë për obligim të ndjekin trajnimet profesionale, që të jenë të gatshëm të ushtrojnë profesionin e tyre ngase ligji i obligon të jenë të aftë profesionalisht.

“Konsideroj se nuk janë të aftë të jenë gjyqtarë. Janë të përfshirë në aktivitete politike. Dhe se për ata që janë të përfshirë në aktivitete politike, nuk ka vend dhe nuk do të ketë kurrë hapërisë në sistemin gjyqësor”, deklaroi Abazi.

Ai theksoi se nuk guxon të ndodhë që anëtarët e KGJK-së të veprojnë në koordinim.

“Nuk ka vend asnjë gjyqtar nëse është i përfshirë apo komunikon për koordinim me spektrin politik. Nuk e dimë nëse ata mund të kenë kryer vepër penale kur ndoshta kanë kryer vepër penale apo kanë shkelur disiplinën”, tha Abazi.

Andaj, ai propozoi që të mos aprovohen kërkesat për revokim të dorëheqjeve dhe mos t’u mundësohet kthimi në sistemin gjyqësor, me arsyetimin se do të ishte e rrezikshme dhe do të paraqiste praktikë të keqe.

Kurse, anëtarja Ivana Milenkoviq ishte pro pranimit të revokimit të dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit serb.

“Sot para nesh kemi një çështje që kërkon nga ne të veprojmë ekskluzivisht si mbrojtës të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Shqyrtimi i kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura nga gjyqtarët dhe stafi serb është një test i pjekurisë sonë kushtetuese dhe i sistemit tonë gjyqësor.Dëshiroj vetëm t’ju rikujtoj shkurtimisht disa norma konkrete kushtetuese dhe ligjore që na obligojnë sot t’i pranojmë kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve”, tha ajo.

Ajo theksoi se Kushtetuta parashikon që gjyqësori duhet të ruajë diversitetin etnik dhe të sigurojë përfaqësim adekuat të të gjitha komuniteteve. Tha se nëse sot do t’i refuzonin kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve, do ta cenonin drejtpërdrejt këtë kategori kushtetuese.

“Me pranimin e tërheqjes së dorëheqjeve, ne nuk po u bëjmë koncesione gjyqtarëve, por po përmbushim garancinë kushtetuese ndaj qytetarëve”, tha ajo.

Sipas Milenkoviqit, me refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve, do të krijohej një vakum juridik dhe institucional, i cili, sipas ligjit në fuqi për gjykatat, është i pamundur të plotësohet shpejt pa cenuar vetë rrjedhën e kornizës ligjore.

Në anën tjetër, anëtari Bashkim Hyseni tha se është për të ardhur keq se si KGJK-ja asnjëherë nuk e ka inkorportuar këtë çështje në rend dite.

“KGJK është organ kushtetues që duhet të shqyrtojë të gjitha cështjet dhe nuk mund të bëhet pjesë e dinamikave politike apo dialogut Prishtinë-Beograd”, tha Hyseni.

Andaj, Hyseni propozoi të refuzohen tërheqjet e dorëheqjeve dhe të shpallet konkurs i ri për gjyqtarë dhe staf mbështetës serb. Ai shtoi se dorëheqjet kanë qenë të orkestruara dhe kolektive.

Edhe Ahmet Imami tha se vota e tij do të jetë kundër. Tha se do të jetë pro që të dorëhequrit të lirohen nga detyra.

“Nuk ka të bëjë vetëm me komunitetin serb, por edhe me komunitete tjera pakicë dhe atë shumicë”, tha Imami.

Ai tha se dispozitat kushtetuese dhe ligjore caktojnë qartë se gjyqtari shkarkohet kur dënohet për vepër penale, shkel rëndë detyrat e tij zyrtare, dhe se në mënyrë decidive parasheh që mandati i gjyqtarit përfundon kur dorëhiqet.

“Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese qartë përcaktohet se organi mbikëqyrës mund të marrë vendim që ka vetëm karakter deklarativ, duke konstatuar pasojë juridike. Ndërsa nuk merr akt konstituiv që të krijojë marrëdhënie juridike”, tha Imami.

Andaj, anëtari Imami tha se do të votojë kundër kthimit të tyre në sistem gjyqësor, pasi dorëheqjet e tyre kanë qenë vullnetare.

KGJK cakton Hysenin, Maxhunin dhe Sopjanin, kryetarë të këtyre Komisioneve

(Përditësuar, ora 10:39)- Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e së enjtes, caktoi kryetarët e tri komisioneve të përhershme, konkretisht: Komisionit për Vlerësimin e Performancës, Komisionit për Çështje Normative dhe Komisionit për Trajnime.

Në krye të Komisionit për Vlerësimin e Performancës u caktua Bashkim Hyseni, në atë për Çështje Normative, Agron Maxhuni, kurse në Komisionin për Trajnime, Valentina Sopjani, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në Komisionin për Cështje Normative, anëtar i rregullt u caktua Besnik Bislimaj.

Kryetarët do të shërbejnë me orar të rregullt të punës, duke u liruar nga norma e punës.

Dukato 1