
Punimet për përmirësimin e kanalit furnizues të ujit kanë sjellë një situatë të papritur gjatë natës, duke shkaktuar ndotje të ujit dhe detyruar ndërprerjen e përkohshme të procesit të përpunimit. Kështu ka njoftuar kryeshefi i KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti, i cili bashkë me kryeshefin e “Iber Lepenc”-it ka inspektuar nga afër zhvillimet në terren, shkruan Mitropol.
Sipas Kurtit, ekipet teknike prej ditësh janë duke punuar në një segment tejet të rëndësishëm të kanalit furnizues, me qëllim modernizimin e tij dhe rritjen e kapacitetit të sigurisë së ujit. Mirëpo, gjatë natës, për shkak të lëvizjes së rrjedhës dhe ndërhyrjeve të thella në strukturën e kanalit, ka ardhur deri te përzierja e ujit me papastërti, duke e bërë të pamundur vazhdimin e përpunimit në fabrikë.
“Qëllimi ynë mbetet sigurimi i ujit të pijshëm në përputhje me të gjitha standardet e cilësisë”, ka deklaruar Kurti, duke theksuar se çdo ndërprerje është e domosdoshme vetëm për të garantuar shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve. Ai ka shtuar se veprime të tilla nuk janë pengesë, por masa mbrojtëse që sigurojnë që në rubinetat e qytetarëve të arrijë ujë i kontrolluar dhe plotësisht i pastër.
Zyrtarët e “Iber Lepenc”-it dhe KRU “Mitrovica” kanë konfirmuar se ekipet janë në terren edhe sot, duke punuar me intensitet të shtuar për rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në furnizim. Ndërkohë, qytetarëve u kërkohet mirëkuptim dhe kujdes i shtuar deri në vënien nën kontroll të situatës.
“Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë konsumatorëve. Ju falënderojmë dhe ju urojmë shëndet e të mira!”, ka përfunduar Kurti në njoftimin e tij, duke siguruar se stabilizimi i gjendjes mbetet prioritet absolut.
Punimet në kanalin furnizues pritet të zgjasin edhe disa ditë, ndërsa kompania apelon qytetarët që të ndjekin njoftimet zyrtare për çdo ndryshim të mundshëm në furnizim./Mitropol/







