Konferenca “Paqja dhe pajtimi janë të mundshme” nga Caritas bën bashkë shqiptarët dhe serbët në Veri

Sot në ambientet e kolegjit IBCM në veri të Mitrovicës, Caritas Kosova organizoi një konferencë me temën “Paqja dhe pajtimi janë të mundshme”, pjesë e së cilës ishin dhjetëra pjesëmarrës nga jugu dhe veriu i Mitrovicës, shkruan “Mitropol”.
Konferenca u organizua si përgjigje ndaj rethanave aktuale sfiduese, përmes së cilës Caritas Kosova promovoi në mënyre aktive paqen.
Në këtë ngjarje, lidershipi i organizatës, stafi, përfituesit, perfaqesuesit e shoqërisë civile, perfaqësues akademik, perfaqësues të komunitetit ndërkombëtar dhe promovuesit e paqes u mblodhën së bashku për të percjellë në mënyrë të prerë mesazhin se paqja dhe pajtimi janë të mundshme.

Konferenca filloi në ora 11:00 me një fjalë hyrëse nga Don Viktor Sopi, drejtori gjeneral i Caritas Kosova i cili përshëndeti të pranishmit duke treguar më pas që Caritas Kosova është e pranishme në veri të Kosovës me dekada të tëra ku promovon paqen, mirëkuptimin dhe dashurinë mes njerëzve.

“Paqja mund të arrihet kur krijojmë atë dashuri me të cilën jeta merr kuptim për njëri-tjetrin.”, u shpreh Don Viktor Sopi në fjalën e tij hyrëse.
Më pas konferenca vazhdoi me një fjalim nga Imzot Dodë Gjergji i cili duke folur për angazhimin për paqen në konflikt tha se historia e lashtë, por edhe ajo e afërt na mëson se e kaluara historike e individëve, familjeve, popujve, mbretërive, perandorive, e së fundi edhe shteteve, është ndërtuar mbi pervojën e dashurisë, miqësive, tolerancës, aleancave dhe bashkëpunimit të ndërsjelltë. Edhe pse theksoi se s’ka munguar kurrë e kundërta, që është, urrejtja, mosdurimi, intriga, përplasjet, konfliktet, luftërat dhe pushtimet.
“Në këtë realitet të “luftës dhe paqes”, njerëzit vullnetmirë , të frymëzuar nga dashuria dhe humanizmi, të nxitur nga e mira e perbashkët dhe dëshira janë përpjekur githnjë ta kultivojnë, ta ruajnë ose ta gjejnë paqen. Pasi gjithnjë kanë qenë të prirë për një të ardhme më të mirë, për prosperitet familjar dhe për dinjitet njerëzor. Këndej, në situata konflikti, kanë mbështetë njëri-tjetrin në procesin e pajtimit dhe kanë nxitë autoritetet e gjitha llojeve që te arrijnë paqen.

Kështu që, pa mëdyshje, mund të konstatojmë se në pervoja lufte gjithnjë ka pasur njerëz vullnetmirë të cilët i kanë rrezistuar urrejtjes dhe s’janë pajtuar me gjendjen e konfliktit.
Këndej kanë kerkuar rrugët për angazhim humanitar, mundësinë për të ruajtur miqësitë dhe vazhdimisht kanë refuzuar urrejtjen dhe hakmarrjen.
Lirisht mund të konstatojmeë se sikur që në periudha paqeje, nuk kanë munguar kurrë ata që kanë nxitue urrejtje dhe konflikt.”, tha mes tjerash Imzot Dodë Gjergji në fjalimin e tij.
Gjergji ka inkurajuar njerëzit vullnetmirë të mos pushojnë kurrë duke përtërirë miqësitë e vjetra dhe duke u përpjekur për të ndërtuar ato të rejat. Ashtu që, paqja dhe pajtimi mes tyre të mos jetë i imponuar por i dëshiruar nga të gjithë. E kur të gjithë sinqerisht e dëshirojnë paqen, pajtimi sipas tij, bëhet realitet.
“Për të bërë funksionale paqen e arritur, lypet të krijojmë mundësi komunikimi dhe bashkëndarjeje të përvojave të jetës, pa pasur frikë nga askush e pa pasur turp ta përdorim gjuhën e njëri-tjetrit. Edhe ato pak fjalë që i dijmë. Pasi përpjekja e vazhdueshme për të mësuar një fjalë të re në gjuhën e tjetrit, rrit vetvetiu besimin dhe mundëson marrëdhënie spontane bashkëpunimi.”, përmbylli fjalimin e tij Gjergji.
Konferenca më pas vazhdoi me fjalimin me temën “Ndikimi i arsimit në ndërtimin e paqes në qytetin e ndarë”, temë kjo që u ligjërua nga znj. Jelena Djokič, drejtoreshë Akademike e IBCM, e cila poashtu vuri në pah nevojën për njohje dhe komunikim të ndërsjellë mes anëtarëve të të dyja komuniteteve.
Pjesa tjetër e konferencës u përcoll me një pikë muzikore nga Taulant Rruci, i cili me violinë intepretoi veprën “O sole mio”.
“Njohja dhe besimi i ndërsjellë si faktor paqeje e pajtimi” ishte tema e radhës që u ligjërua nga z. Xhemajl Veliqi nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, për t’u përcjellur nga ligjerata e profesoreshës Blagica Radovanovič, drejtoreshë e organizatës “Santa Maria”.
Krejt në fund, pjesëmarrësit patën kënaqësinë ta ndëgjojnë edhe një intepretim të veprës “What a wonderful world”, pas së cilës ata ndanë përshtypjet e tyre në lidhje me temën.

Konferenca u përmbyll nga Don Viktor Sopi, i cili për të dhënë mesazhe paqeje zgjodhi të ligjëronte në gjuhën serbe duke falënderuar pjesëmarrësit për këtë punë të vogël të kryer me dashuri të madhe. Ai mes tjerash tregoi se angazhimi i Caritas Kosova për paqe dhe dashuri të ndërsjellë do vazhdoj ashtu siç ka qenë për dekada të tëra./Mitropol/






