Me moton globale “Qeverisja efektive e Inteligjencës Artificiale në të gjitha nivelet”, të hënën Kuvendi i Kosovës ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se shënimi i kësaj ditë është i rëndësishëm për ta theksuar rendësinë e idealeve të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, për ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse, krahas sulmeve dhe tendencave në rritje që ekzistojnë në kahjen e kundërt për ta minuar dhe për ta sfiduar demokracinë.
Ai po ashtu u shpreh se është e rëndësishme ta njohim progresin demokratik të deri tashëm, që sipas tij e e ka shënuar Kosova duke qëndruar paralelisht përkrah botës demokratike për ruajtjen e idealeve që përfaqëson demokracia sidomos në këtë kohë të sfidave të mëdha globale
“Kjo ditë është e caktuar nga Kombet e Bashkuara dhe ne si shtet synojmë që të jemi pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm. Bëjmë mirë që të jemi pjesë e këtyre standardeve, duke vepruar kështu tregojmë pjekurin tonë shtetërore, pjekuri demokratike. Në një kohë ku në mbarë botë po merr hapësirë dezinformimi, tema globale është caktuar inteligjenca artificiale si një mjet për qeverisje të mirë. Kjo është një thirrje për vëmendje për institucionet tona që ta vene në funksion inteligjencën artificiale. Demokracia mirëmbahet nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve. Pa transparencë nuk ka demokraci. Asnjë sukses i Kuvendit nuk mund të jetë i plotë pa partneritetin me qytetarë, organizata të shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare e mediat”, ka thënë Konjufca.