
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbajtur një konferencë për media pas takimit të tij me kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakoçar Zupançiq, ku ka vlerësuar ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë për Kosovën në proceset euro-integruese.
Ai ka përshëndetur vizitën e kryetares Zupançiq në Kosovë dhe ka shprehur falënderimin për përkushtimin e vazhdueshëm të Sllovenisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“I nderuar që ta pres në vizitën e saj të parë në Kosovë, kryetaren e Asamblesë së Sllovenisë, zonjën Zupançiq. Kryetarës i urova mirëseardhje dhe e falënderova për mbështetjen e palëkundur që Sllovenia i jep Kosovë në shumë procese sidomos ato euro integruese”, ka thënë Konjufca.
Konjufca gjithashtu ka shprehur shqetësimin për tendencat destabilizuese të Serbisë në rajon, duke përmendur sulmin terrorist ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në Banjskë, dhe ka kërkuar dënimin dhe gjykimin e përgjegjësve për këto veprime.
“Ia shpreha shqetësimin tonë si popull dhe si shtetet për tendencën destabilzuese të Serbisë në Kosovë, ku kulmuan me sulmin ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në Banjskë vitin e kaluar. Nuk mund të flasim për fqinjësi të mirë dhe paqe në rajon pa u dënuar dhe pa i vënë para drejtësisë kryerësit e këtij krimi dhe pa u adresuar përpjekjet e tilla destabilizuese”, ka deklaruar Konjufca.






