Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë edhe veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund.
Një rast i tillë është raportuar të mërkurën në Ferizaj, ku një person ka kërkuar ndihmën e Policisë.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar pronari i veturës, i cili ka deklaruar se hajnat ia kanë vjedhur një BMW X6 nga garazhi i shtëpisë.
Bazuar në informacionet e para, automjetin e vjedhur, viktima e kishte sjellë në Kosovë nga Gjermania.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.