KOSOVËLAJME

Krimi në Pejë, Kryeprokurori Kurmehaj: Dyshimet e para janë se rasti ka ndodhur në banese, çifti i kanë tre fëmijë

Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj është deklaruar rreth rastit të vrasjes së rëndë të një gruaje në Pejë. Ai tha  se lidhur me rastin është arrestuar një person e që dyshohet se është bashkëshorti i viktimës.

Tutje Kurmehaj konfirmoi se rasti ka ndodhur në një banesë, teksa shtoi se çifti kishin tre fëmijë.

Florenti Company
Market Florenti
Koha

“Dyshimet e para janë që rasti ka ndodhur në një banesë në Pejë dhe se dorasi është bashkëshorti. Ai është arrestuar dhe është intervistuar në stacionin policor. Jemi duke I konfirmuar të gjitha hetimet dhe më vonë do të dalim me informacione zyrtare. Ajo çfarë dimë deri më tani është se çifti I kanë tre fëmijë, ndërsa se a kanë qenë vetëm në banesë apo si do të konfirmojmë më vonë pasi të jenë kryer të gjitha hetimet”, tha ai.

Edmond Lajqi dyshohet se vrau gruan e tij sot në Pejë. E tërë ngjarja sipas policisë dhe prokurorisë ndodhi midis qytetit të Pejës. Lajqi u arrestua e sipas raportimeve të para ishte vet ai që lajmëroi Policinë se e ka kryer këtë krim. “E vrava gruan”, raportohet të ketë thënë ai para organeve të rendit.

E ky po del që nuk ishte rasti i parë që Lajqi dhe gruaja që u vra sot, Gjyljeta Ukelli patën probleme.

Lajqi në vitin 2021 sipas raportimeve, ishte dënuar me 400 euro gjobë për dhunë në familje.

Rasti I rëndë I vrasjes që tronditi sot Pejën, ka ndodhur në orën 08:15 të mëngjesit në banesën e çiftit në mes të qytetit të Pejës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova ka konfirmuar për Express, se vdekja e gruas është konstatuar në vendin e ngjarjes.

Ndërkaq, i dyshuari që është bashkëshorti i viktimës është arrestuar dhe është dërguar në stacion policor.

“Sot rreth orës 08:15, Policia është informuar se në rrugën Bill Clinton në Pejë, ka ndodhur një rast, Policia menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes gjithashtu edhe ekipi mjekësor të cilet kanë konstatuar vdekjen e viktimës ( femër), i dyshuari këtij rasti është arrestuar dhe ndodhet ne objektet e Stacionit Policor në Pejë”, ka thënë ai.

Për këtë rast, për Express janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie Shkodran Nikçi tha për gazetën se është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer krimi.

“Kryeprokurorit dhje Prokurori i krimeve të rënda së bashku me të gjitha njësitet policore relevante janë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se bashkëshorti e ka vrarë gruan e tij. I dyshuari është arrestuar dhe i është sekuestruar arma, ndërsa në vendin e ngjarjes janë duke u kryer të gjitha hetimet e nevojshme. Jemi në pritje të ekipit të mjekësisë ligjore për të marrë trupin e pajetë”, ka thënë Nikçi .

E menjëherë pas konfirmimeve për këtë vrasje vijuan reagimet.

Nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë kanë thënë se Gjyljeta Ukelli ka punuar për dy dekada si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.

“Të tronditur thellë nga vrasja makabre e koleges tonë, punëntores shëndetësore te stomatologjisë të ndjerës Gjyljeta Ukella. E ndjera Gjyljetë per dy dekada shërbeu si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë. Do të mbetet ne kujtimet e secilit koleg për punën dhe dhe urtësinë që e ka karakterizu përsonalitetin e Gjyljetes”, thuhet në reagim.

Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani duke dënuar këtë vrasje tha se të gjithë duhet që të bëhen bashkë për tra ndalur vrasjen e grave dhe vajzave në Kosovë.

E kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se është urgjente që mekanizmat të sigurisë dhe gjyqësisë të konsolidohen dhe të parandalojnë këtë dukuri të vrasjes së grave.

“Sot u zgjuam me një lajm të trishtueshëm. Vrasja edhe e një gruaje tjetër në qytetin e Pejës pas asaj që ndodhi këtë javë edhe në qytetin e Ferizajt ku një grua u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Ajo që duhet të ndodhë dhe që është urgjente është konsolidimi i mekanizmave tonë të sigurisë dhe gjyqësisë para së gjithash që rastet e tilla më të mos ndodhin meqenëse shumica e rasteve që po ndodhin në Kosovë kundër grave dhe vajzave e dhuna e tmerrshme e ushtruar ndaj tyre është kryesisht prej personave të cilët edhe më herët kanë pasë raste penale, raste të shkeljeve të rënda”, tha ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes në Pejë, ku Gjyljeta Ukella dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, duke thënë se kjo është tronditëse dhe e patolerueshme.

Haxhiu ka bërë me dije pas dy vrasjeve të fundit ka ftuar në takim ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor, u.d Kryeprokurorit dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës dhe po ashtu në një takim tjetër edhe mbledhjen e grupit ndërministror.

“Nuk ka rrugë tjetër pos si institucione të Republikës së Kosovës të luftojmë pa kompromis këto fenomene. Pavarësisht përkushtimit, masave të ndërmarra, fushatave të iniciuara me qëllim pikërisht barazinë gjinore, vrasjet ndaj grave po vazhdojnë. Shpeshherë dhunuesit janë bërë vrasës pikërisht për shkak të mosndëshkimit adekuat nga institucionet përkatëse”, ka shkruar Haxhiu.