“K*rvë, mos hajde prej hotelit m’i puthë fëmijët”/ Vushtrriasi kërcënon gruan me të cilën është në proces divorci
Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre.
Me një situatë të tillë është përballur edhe një grua në Vushtrri, e cila është në procedurë të shkurorëzimit nga burri me të cilin ka pesë fëmijë.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë ditës së djeshme ajo ka pasur takim me fëmijët e saj dhe pasi është ndarë nga ta, ish-burri i ka dërguar mesazhe me përmbajtje ofenduese e kërcënuese.
Bazuar në dëshminë e saj dhënë organeve të hetuesisë, i dyshuari e ka kërcënuar se nuk do ta lërë me kaq dhe ndër të tjera e ka fyer rëndë, duke e quajtur me terme denigruese.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Kanosje’.