Avazi i punësimeve partiake në Komunën e Vushtrrisë po vazhdon. Së fundmi në këtë komunë u punësua Ermirë Jonuzi, vajza e asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Jonuzi.
Komuna e Vushtrrisë me 20 qershor 2023 ka publikuar rezultatet për pozitën: Inspektor i Shërbimeve publike.
Për këtë pozitë konkurruan nëntë kandidatë. Por, pas testit me shkrim, vlerësimit të biografisë dhe intervistës, e para doli Ermirë Jonuzi me 91.75 pikë.
Ermirë Jonuzi ka mohuar të ketë ndikuar babai i saj për tu përzgjedhur në këtë pozitë, derisa shtoi se i meriton pikët që i janë dhënë.
“Unë kam përvojë si juriste dhe asnjëherë deri tash nuk janë vënë në pikëpyetje aftësitë e mija në punë. Për këtë janë dëshmitarë të gjithë organizatat dhe institucionet ku unë kam punu. Për babin tim jam krenare unë, qyteti i Vushtrrisë dhe tërë Kosova. Asnjëherë, në asnjë formë, nuk ka ndiku as për punën më të vogël. Unë jam e gatshme në çfarëdo forme me dëshmu që jam e kualifikuar për këtë pozitë dhe i meritoj ato pikë të cilat më janë dhënë“, tha Jonuzi për Insajderin.
Asamblisti nga radhët e LVV’së, Ali Jonuzi ka mbështetur publikisht kryetarin e Vushtrrisë, Ferit Idrizi në zgjedhjet e vitit 2021.
Asamblisti Jonuzi përkrah vendimet e qeverisjes së PDK’së në Kuvendin Komunal duke votuar pro.