
Kumrie Sefaja Pestova është një nga gratë që ka dhënë kontribut të madh në arsim dhe ka qenë simbol qëndrese gjatë viteve të okupimit serb në Mitrovicë. Në një rrëfim për ciklin “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës”, ajo ndau përjetimet e saj si mësuese në kohë të errëta për Kosovën.
Ajo filloi punën si mësimdhënëse në vitin 1979 në shkollën fillore “Andon Zako Çajupi”, ku mësonin nxënës të komuniteteve të ndryshme. Viti 1981 shënoi fillimin e presioneve nga regjimi serb: programet u ndryshuan, librat shqip u dogjën publikisht në oborrin e shkollës dhe dhuna psikologjike u shtua. Megjithatë, mësuesja Kumrie vazhdoi të u tregonte nxënësve të vërtetën dhe të ruante frymën kombëtare.
Në vitin 1991-92, kur u transferua në një tjetër shkollë, asaj nuk iu lejua të mbante mësim. Për muaj të tërë, shkollat shqiptare ishin të mbyllura dhe mësuesit protestonin. Në atë kohë, shumë familje hapën shtëpitë e tyre për të zhvilluar mësimin – ndër to ishte edhe shtëpia e Kumries, e cila për katër-pesë muaj shërbeu si shkollë. Një dhomë e saj u kthye në klasë, me tavolinën e kuzhinës si dërrasë të zezë, ndërsa bashkëshorti i saj bënte roje nga policia.
Ajo kujtoi edhe raste të rënda, si ai i një vajze e cila humbi të folurën nga trauma që përjetoi kur shtëpia e saj u dogj dhe u fsheh nga nëna që ta shpëtonte. Kumrija përdori vizatimet për ta kuptuar çfarë ndiente vajza. Po ashtu, ajo përmendi rastet kur mësuesit u keqtrajtuan para nxënësve, për t’i frikësuar dhe për të ndalur shkollimin.
Në fund të rrëfimit të saj, ajo dha një porosi për të rinjtë: të çmojnë familjen, arsimin dhe të japin gjithçka për vendlindjen – Kosovën.
Ndiqni intervistën e plotë në linkun e mëposhtëm:

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.








