Kur do të paditet Serbia për gjenocid, Kurti: Përgatitjet po zhvillohen në konfidencialitet
Kryeministri Albin Kurti pas vizitës që i bëri Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, është pyetur se a do të ndihmojnë materialet që të hartohet padia për gjenocid ndaj Serbisë dhe se ku është Qeveria me përgatitjet për këtë padi.
Padia për gjenocid ndaj Serbisë është një premtim i kahmotshëm i kryeministrit Kurti.
Ai ka thënë se përgatitjet janë konfidenciale, pasi që kanë të bëjnë me një shtet armiqësor dhe agresor si Serbia.
“Ky është Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë dhe synimi është hulumtimi, dokumentimi, e vërteta në përmasën e saktë për hir të historisë dhe drejtësisë, por natyrisht që i përket organeve të tjera që më pastaj të punojnë dhe të veprojnë mbi bazën e këtyre materialeve të arkivuara këtu”.
“Ne po e vazhdojmë punën tonë, përgatitjet tona që janë të thella e komplekse, e për të cilat në kuptimin konkret të përmbajtjes së tyre nuk mund të flas, meqenëse këto përgatitje zhvillohen në konfidencialitet, sepse natyrisht kemi të bëjmë me një shtet agresor, i cili është shtet armiqësor ndaj nesh dhe nuk i pranon krimet e kryera në Kosovë, përkundrazi i quan ato fabrikime”.
“Duke e pasur parasysh kontekstin rajonal, fqinjin tonë armiqësor, këto përgatitje duhet t’i zhvillojmë jashtë syve të opinionit publik”, tha kryeministri para gazetarëve.