Aurora Group
02KOSOVË

“Kur fillova unë, nuk më lejohej të hyja në shkollë, të mbaja mësimin. Serbët mbanin mësimin, ne protestonim. Tentonim të hynim brenda, ata nuk na lejonin” – rrëfimi i Kumrie Sefaja Pestovës

Një nga gratë e forta e cila ka dhënë kontribut të çmuar për komunitetin mitrovicas dhe jo vetëm, gjatë viteve të okupimit, pra, viteve 1980-90, është mësuesja Kumrie Sefaja Pestova, e cila ka ndarë përjetimet dhe sakrificat e asaj kohe në kuadër të ciklit të emisioneve “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës” ku në fokus janë rrëfimet e grave mitrovicase.

KFC

Për 43 vite ajo ka punuar në arsim, në ciklin e ulët të shkollës fillore. Tashmë e pensionuar, ajo rrëfeu për Mitropol përjetime të ndryshme nga periudhat e vështira kur ajo ka zhvilluar aktivitetet mësimore.

TEB

Kumrie Sefaja Pestova ishte punësuar si mësimdhënëse në vitin 1979 në SHFMU “Andon Zako Çajupi”, shkollë ajo që ndiqej nga nxënës të komuniteteve të ndryshme.

Viti 1981 ishte periudhë e vështirë, kur regjimi serb filloi të na kanosë. Programet e tyre shkollore, dhuna psiqike e tortura të ndryshme”, rrëfeu ajo në bisedën me gazetarin Urall Boshnjaku në kuadër të këtij cikli emisionesh të Mitropol.

Sefaja Pestova tha se ani pse planprogramet ishin të ndryshuara e imponuara, ajo u ka treguar nxënësve situatën reale.

Regjimi serb i Mitrovicës i kanë mbledhë krejt librat me autorë shqiptarë, duke përfshi hartat gjeografike që kanë qenë prodhim i Shqipërisë, i kanë marrë të gjitha dhe i kanë djegë literaturën shqipe midis oborrit të shkollës. Nuk ka ndodhë në shkolla tjera. Jom prekë shumë”, u shpreh ajo gjatë bashkëbisedimit.

Mësuesja nga Mitrovica tha se sa më shumë tortura u kanë bërë, aq më të lidhur kanë qenë mes vete.

Kemi qenë të një fjale. Mësimëdhënësit, nxënësit e prindërit.”, tregoi ajo.

Ish-mësimdhënësja tregoi për vështirësitë me të cilat i përball kur u transferua në shkollën “Muharrem Bekteshi”, tash “Eqrem Çabej”, në vitin vitin 1991-92.

Kur fillova unë, nuk më lejohej të hyja në shkollë, të mbaja mësimin. Serbët mbanin mësimin, ne protestonim. Tentonim të hynim brenda, ata nuk na lejonin”, u shpreh Sefaja Pestova.

Përveç në atë shkollë, mësuesja tregon se për gjashtë muaj regjimi serb ndërpreu procesin mësimor në të gjitha shkollat në Kosovë.

Mbetëm në rrugë. Pikësynimi i armikut ishte lapsi. Shkolla ka qenë arma jonë më e fuqishme dhe është edhe sot”, tha mes tjerash ajo.

Ish-mësuesja u shpreh falënderuese për popullin shqiptar të cilët i hapin dyert e tyre të shtëpive për t’u shfrytëzuar si shkolla.

Ajo gjithashtu rrëfeu se si bashkë me bashkëshortin e saj që poashtu ishte mësimdhënës, vendosën që në atë situatë, një nga dhomat e shtëpisë së saj t’i kthente në shkollë.

Njëherë u lajmëruan gjashtë nxënës e pastaj numri shkoi deri në 18. Prej orës 13:00 deri në 15:00. Bashkëshorti më ndihmonte me i largu këpucët se mos po vijnë policia. Pra ai bënte roje, unë mbaja mësim”, rrëfen ajo.

Ish-mësimdhënësja tha se shtëpia e saj u shfrytëzua si shkollë për katër-pesë muaj, dhe se si dërrasë të zezë ka shfrytëzuar mesin e tavolinës së kuzhinës.

Në rrëfimin e saj, ajo veçoi një rast kur gjatë viteve 1998-99, një fëmijë i traumatizuar nga regjimi serb e ka humbur të folurën.

Duke ikur kur iu ka djegë shtëpia, nëna e saj e ka marrë me strehu vajzën deri në mëngjes e t’u ia mbyllë gojën mos me folë, ajo ka marrë trauma dhe e ka humb të folurën. Unë kurrë s’i kam bo pyetje të drejtëpërdrejta, por me anë të vizatimeve e kuptojsha çka po mendon e çka po kërkon”, tha ajo, rast të cilin e konsideroi mjaft të vështirë.

Sefaja Pestova tregoi edhe se si mësimdhënësit janë keqtrajtuar para nxënësve në mënyrë që ata të mos shkonin më në shkollë.

Në një nga shkollat ku ka punu bashkëshorti im, ka pasë raste që mësimdhënësin e kanë detyru me e kapë stufën me dorë. Ndërsa një kusherirë timen e kanë rrahë me shuplaka para nxënësve”, rrëfeu ajo mes tjerash.

Në fund mësimdhënësja mitrovicase dha edhe një porosi për gjeneratat e reja, ku tha se në rend të parë duhet ta duan dhe t’ia dijnë vlerën familjes e të kontribuojnë maksimalisht për vendlindjen e tyre, Kosovën.

Ndiqni intervistën e plotë në linkun e mëposhtëm:

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

TEBTEB