Kurti dhe Vuçiqi takohen më 18 mars në Ohër

Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet në Ohër më 18 mars, kështu ka konfirmuar një zyrtar i Bashkimit Evropian (BE).
Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Propozimit Evropian – Marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Një zyrtar i BE-së, ka thënë të enjten në Bruksel se Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Marrëveshjen dhe aneksin ose planin e zbatimit.
Sipas zyrtarit të BE-së pa planin e zbatimit, i cili konsiderohet pjesë përbërëse e Propozimit Evropian – Marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, e njëjta do të ishte vetëm “një deklaratë politike, pa asnjë detyrim ligjor apo politik për palët”.
Skenari i dëshiruar për palën evropiane është që ky të jetë një takim ku liderët do të bien dakord për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementët e marrëveshjes.
Diskutimi për propozimin evropian konsiderohet i mbyllur për palën evropiane, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e mbajtur më 27 shkurt në Bruksel, u pajtuan për tekstin e propozimit të BE-së./REL/








