Aurora Group
KOSOVËLAJME

Kurti: Kam propozuar të shkruaj një draft për Asociacionin, Serbia kërkoi “një Dodik të vogël”

Kryeministri Albin Kurti duke folur për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, tha se ndërkombëtarët kishin refuzuar propozimin që ai të shkruante draftin e themelimit të Asociacionit.

Ai ka thënë të dielën se drafti i tij do të bazohej në aktgjykimin e Kushtetueses, letrën e Federica Mogherinit dhe qëndrimit amerikan, por u shpreh se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq “na kërcënoi me largim nga tryeza”.

Active 1

“Më 18 mars 2023, në Ohër kam ofruar të shkruaj një draft. Thashë se s’mund të shkruaj draft pa u pajtuar për frymën e saj.. Shtylla e parë ishte aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i 2013-s, qëndrimi amerikan, dhe letra e Mogherinit…Me këto qëndrime thashë nesër ua sjell draftin. Presidenti Vuçiq kërcënoi me largim nga tryeza. Aty u krijua një sfidë e më thanë s’duhet të shkruash ti draftin, por ekipi menaxhues”, ka deklaruar Kurti në KTV.

Ai u shpreh se ekipi menaxhues e parashihte krijimin e një strukture “që i subordinon edhe komunat e dhëna nga Ahtisaari dhe e bën një president”.

“Krejt synimi ka qenë një Dodik i vogël që e shkel Nenad Rashiqin. Qëllimi ishte ky. Unë s’jam kundër nenit 44 dhe lirisë së asocimit. Jam ofruar të shkruaj draft, por më thanë jo. Lajçaku e solli draftin, por unë s’mund ta dërgoj një non-paper në Kushtetuese”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se kishte propozuar edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje në pako me Serbinë, por thasë edhe kjo ishte refuzuar nga presidenti Vuçiq.

“Është e vërtetë. Unë kam thënë gjithmonë se ajo marrëveshje është e inspiruar prej marrëveshjes mes dy Gjermanive. Sepse ka paragrafë të tërë ‘copy-paste’…Nuk është marrëveshje shumë e mirë, shumë e shkëlqyeshme. Është një ‘ok’ marrëveshje. Ka pasur shumë betejë aty…Por, ka edhe diçka që mungon, ashtu është… Mungojnë shumë gjëra atje, janë 11 nene gjithsej e 6 fjali në preambulë. Shumë shkurt është, problemet me Serbinë janë shumë më të mëdha. Por, si një marrëveshje në rrugën për normalizim ne e kemi konsideruar se është shumë më e dëmshme të refuzohet, e shumë më e mirë të pranohet e të ecim përpara”, tha Kurti.

Koha