Kurti nderon viktimat e Holokaustit bashkë me Osmanin dhe Bashën: Populli ynë ka treguar empati të veçantë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, kanë nderuar viktimat e Holokaustit në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore, pranë pllakës që shënon sinagogën e fundit në Kosovë, në çarshinë e vjetër të Prishtinës.
Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se janë vendosur kurora me lule në përkujtim të të gjitha viktimave që u vranë, u dogjën në krematoriume apo vdiqën në kampet e përqendrimit dhe nga aksionet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai theksoi se këto krime çnjerëzore sollën njohjen ndërkombëtare të konceptit të gjenocidit, që sot përdoret për të emërtuar shkatërrimet e qëllimshme ndaj komuniteteve etnike, kombëtare, fetare apo racore.
Kurti shtoi se, duke qenë vetë viktimë e gjenocidit, dëbimit dhe spastrimit etnik, populli i Kosovës ka treguar gjithmonë empati të veçantë ndaj popujve që kanë përjetuar vuajtje të ngjashme. Ai nënvizoi se përkujtimi i viktimave të Holokaustit është i domosdoshëm për të mos harruar dhimbjen dhe për të parandaluar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.








