Kurti: Përballë armikut e çfarëdo kërcënimi të paqes a të sigurisë, më nuk qëndron Kosova e dikurshme por Ushtria e Kosovës

Në fjalën e tij në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kurti tha se “e di mirë peshën e uniformës që bartin ushtarët e ri”, shkruan Mitropol.
Ai tregoj se tash para “armikut” qëndron Ushtria e Kosovës, e jo Kosova e dikurshme.
“Përballë armikut e çfarëdo kërcënimi të paqes a të sigurisë, më nuk qëndron Kosova e dikurshme por Ushtria e Kosovës me shumë të ri e të reja, që si ju ballëhapur bartin uniformën me shqiponjën sypatrembur në krahë”, tha Kurti në ceremoni.
“Po hapni një etapë të re në shërbim të vendit dhe e di mirë që nuk është e lehtë pesha e uniformës që bartni, por pikërisht përballë vështirësive vlerësohet madhësia e njeriut”, tha ai.
Kurti në ceremoni foli edhe për “thëllime bashkëpunimesh” me vende të tjera.
“Kemi shumëfishuar bashkëpunimin me Shqipërinë, njëzetfishuar me Kroacinë ndërkaq kemi thelluar bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë.”, tregoi Kurti.
Sipas Kurtit, “ushtarët tanë janë të pamposhtër e të pathyeshëm kurse sovraniteti shtetëror, i paprekshëm e integriteti territorial i pacenueshëm”.








