Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar në Twitter për marrëveshjen e arritur me Bashkimin Evropian për të zvogëluar tensionet në veri të vendit.
“Qeveria jonë ka arritur një marrëveshje me BE-në për hapat e ardhshëm për deeskalimin në veri dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo tregon gatishmërinë tonë për të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon, në shërbim të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, ka shkruar Kurti.
Ai gjithashtu ka publikuar katër pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje.
Kjo marrëveshje ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe zvogëlimin e tensioneve në veri.
Ndryshe, kryeministri Kurti gjatë ditës në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se dakordimi mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për pikat që synojnë të shtensionojnë situatën në veri të vendit, “do të ndihmojë në përforcimin e fokusit dhe vendosjen e barazisë midis palëve”.
“Të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Qeveria e Kosovësm më 11 korrik kishte njoftuar se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.
Të gjitha hapat, sipas Qeverisë së Kosovës, do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.
Ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Sipas njoftimit të Qeverisë, prania policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri do të zvogëlohet menjëherë për 25 për qind.
Po ashtu, Policia e Kosovës, së bashku me misonin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misionin paqeruajtës në NATO-s në Kosovë, KFOR, sipas nevojës do të bëjnë vlerësimin e gjendjes së sigurisë “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlimin e mëtejmë të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.