Kurti thotë se disa komuna po i bëjnë opozitë nivelit qendror: Është gabim, qeveria është e të gjithëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka lavdëruar kabinetin e tij për bashkëpunim me qeverisjen lokale.
Ndërkohë duke thënë se sot qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë të nivelit qendror.
“Javën tjetër do të mbajmë takimin e radhës të përbashkët me kryetarët e komunave, të katërtin deri më tani me qëllim mirëmbajtjen e komunikimit mes nivelit qendror dhe atij lokal dhe për të diskutuar për çështje me interes për qytetarët. Janë dëshmi të forta të mbështetjes së qeverisë për komunat.
Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale, sot qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë të nivelit qendror. Gabim ka qenë atëherë, gabim është edhe tani. Bashkëpunimin e kemi përgjegjësi, të dy nivelet e qeverisjes burojnë nga vullneti i qytetarëve, prandaj edhe duhet të jemi në shërbim të tyre. Qeveria është e të gjithëve, edhe e komunave, e komunat janë të qytetarëve, jo të partive politike”.
Kurti përmendi edhe ndarjen e granteve për komunat për periudhën 2024-2026.
“Para dy javëve komisioni i granteve mbajti një takim të rëndësishëm ku i miratua ndartja e granteve për komuna për periudha 2024-2026. Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë qeverisjes sonë sesa gjatë qeverisjes së mëparshme. Granti i përgjithshëm për komuna për vitin 2024 kap shumën prej 284.7 milionë euro. Kjo vlerë rekorde vjen si rezultat i drejtpërdrejt rritjes së të hyrave për buxhetin e shtetit. Granti për shëndetësi ka rritje për 16 për qind për 2024, krahasuar me 2023. Ndërsa për arsim është rritur për 18.5 për qind”, u shpreh ai.








